Kryebashkiaku Fatos Tushe: Hysen Dedja ishte kandidatura më e mirë për stolin. Arsyet e gjendjes aktuale janë shumë, ku edhe ekipi ka përgjegjësitë e veta
Arjan Likja
Ashtu siç ishte njoftuar, dje është bërë prezantimi zyrtar i trajnerit Hysen Dedja te Lushnja. Ishte vetë kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i cili doli në sallën e konferencave për shtyp të stadiumit “Roza Haxhiu”, bashkë me trajnerin shkodran, duke bërë prezantimin zyrtar para gazetarëve. Dedja zëvendëson në stolin verdhejehsil Artan Banon, i cili u largua nga ekipi pas humbjes me Laçin. Në ndeshjen e fundit me Teutën skuadra u drejtua nga ndihmëstrajnerët Çuko dhe Gjika, duke marrë edhe fitoren e parë në kampionat.
TUSHE – Kryebashkiaku Tushe, në fjalën e tij prezantuese përballë futbollistëve, sqaroi arsyet që e shtynë të pranonte dorëheqjen e Banos dhe të zgjidhte Hysen Dedjen: “Lushnja e këtij kampionati nuk ka pasur një ecuri të kënaqshme në këto 8 javë. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por unë mund të them ato më kryesoret. Zhvillimi i disa ndeshjeve në stadiumin e Fierit, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit tonë, ishte një nga këto arsye. Gjykimet po ashtu kanë qenë kundër Lushnjës në disa takime, duke u bërë pengesë në rezultatet dhe në renditjen tonë aktuale. Natyrisht, nuk mund të anashkaloj paraqitjen e dobët të ekipit në disa ndeshje, çka solli edhe dorëheqjen e trajnerit Artan Bano. Përfitoj nga rasti ta falënderoj trajnerin Bano për punën e mirë që ka bërë në sezonin e kaluar, duke e ngjitur Lushnjën në Superiore. Pasi pranuam dorëheqjen e Banos, u vumë në lëvizje për zëvendësuesin e tij. Nga emrat që më sugjeruan njerëzit që drejtojnë klubin tonë, përzgjodha kandidaturën e Hysen Dedjes. Duke vlerësuar figurën dhe përvojën e tij, shpresoj se shumë shpejt ekipi do të reflektojë për të rikuperuar pikët e humbura. Dedja do të vazhdojë punën me të njëjtët bashkëpunëtorë në staf, me Dritan Çukon dhe Llazar Gjikën”, – tha Tushe.
DEDJA – Në ditën e parë të punës së trajner i Lushnjës, trajneri Hysen Dedja, i cili e njeh ambientin, pasi ka punuar edhe më parë këtu, mes të tjerash theksoi: “E kam thënë edhe më parë se e pranova me kënaqësi ta marr drejtimin e Lushnjës. Pas Vllaznisë, është ekipi im i preferuar. Dua të falënderoj kryebashkiakun Fatos Tushe dhe ata që i sugjeruan emrin tim, që më besuan. Natyrisht, kam ardhur për të bërë diçka të mirë dhe të arrij objektivin që ka ky ekip. Për momentin, sfida ime do të jetë që deri në fund të fazës së dytë të kemi rikuperuar vendet e nevojshme në klasifikim për t’i larguar fundit. Më pas ndoshta do të synojmë edhe më shumë. Shpresoj shumë ta arrijmë këtë objektiv, ndërkohë që dua të falënderoj për punën e deritanishme edhe paraardhësin tim Artan Bano”.