Mesfushori lushnjar është i lumtur për debutimin në ndeshjen me Skënderbeun dhe tani synon të ketë sa më shumë minuta në kampionat
Arjan Likja
Me ardhjen e trajnerit Hysen Dedja, shumë gjëra ka ndryshuar te Lushnjë, jo vetëm në nivelin e lojës. Fryma e duhur e konkurrencës për të luajtur në formacion vlerësohet nga të gjithë. Në çdo seancë stërvitore trajneri shkodran ua ka bërë të qartë futbollistëve që ka në dispozicion se do të luajnë ata që janë në formë më të mirë. Dedja nuk e vlerëson askënd nga emri apo përvoja që ka në futboll. Me ardhjen e Dedjes, mbrojtësi Prençi që ka fituar një vend titullari, që e ka justifikuar plotësisht me paraqitjet e deritanishme.
VODO – Në takimin ndaj Skënderbeut, trajneri i Lushnjës guxoj t’i japë minuta në pjesën e dytë edhe 22-vjeçarit Aldo Vodo, i cili u paraqit mjaft mirë. Vodo është formuar në ekipet e moshave të Sienës në Itali. Ai është larguar nga Lushnja në moshën 3-vjeçare dhe tani, në moshën 19-vjeçare, me një nivel të admirueshëm teknik, është kthyer të luajë me skuadrën e qytetit të tij në Superiore. Një dëmtim e ka detyruar të mungojë për 6 muaj në fushat e blerat, por tani gëzon një formë të mirë dhe synon të ketë sa më shumë minuta në këmbë me fanellën e Lushnjës. Trajneri Dedja e ka aktivizuar titullar në ndeshjet e Kupës ndaj Laçit, ndërsa në kampionat debutoi ndaj Skënderbeut, në pjesën e dytë.
Për “Sport Ekspres” ai është shprehur: “Jam i lumtur që jam rikthyer te Lushnja këtë sezon. Para 2 sezonesh, kur luaja për këtë ekip në Kategorinë e Parë, kam pësuar një dëmtim serioz, që më rrezikoi karrierën. Vetëm falë pasionit tim dhe përkrahjes së prindërve, ia dola. Bëra një operacion të vështirë në Itali dhe tashmë jam rikthyer te Lushnja me pretendimin për të luajtur sa më shumë. Ndihem mjaft i vlerësuar, që trajneri Dedja më ka aktivizuar në një ndeshje të rëndësishme, siç ishte ajo me Skënderbeun, ekipin më të mirë të Shqipërisë. Këtë besim do mundohem t’ia shpërblej trajnerit me punë në stërvitje dhe në ndeshjet që do të luaj. Trajneri e vlerëson çdo futbollist për punën që bën në stërvitje. Më pëlqen mënyra si e organizon stërvitjen dhe si i menaxhon lojtarët. Personalisht, ndihem shumë mirë dhe stërvitem me përkushtim maksimal. Jam i lumtur që trajneri më dha mundësinë e aktivizimit. Lushnja bëri një paraqitje dinjitoze në ndeshjen e fundit, por arbitri nuk na la të luanim me forca të barabarta. Në ekip ka një frymë optimiste dhe besoj se pas janarit Lushnja do të jetë më e fortë dhe do të luftojë për mbijetesën në Superiore”.