Në një intervistë për radion zyrtare të Napolit, “Kiss Kiss”, Aurelio De Laurentis ka shpjeguar pse nuk e mori Kristiano Ronaldon, pas një takimi që pati me agjentin e portugezit, Zhorzh Mendesh.
“U takuam në shtëpinë e tij për të folur për portierin Rui Patrisio. Për portierin nuk ramë dakord pr shkak të problemeve që kishte me Sportingun, ndaj vendosëm të shmangemi. Më pas folëm për gjëra të tjera dhe doli edhe emri i Kristiano Ronaldos. Mendesh më tha që Ronaldo nuk ndihej mirë në Madrid dhe më pyeti a ishte e mundur ta blinim. U shtanga, mendova të thosha ‘po’ menjëherë.
“Më pas u mendova mirë dhe bëra propozimin tim. Me Maxarrin pagat ishin 30 milionë euro në total, tani janë 400 milionë. I shpjegova Mendeshit që do më duheshin 250 milionë eurot e para të buxhetit vjetor, i kërkova të m’i linte dhe unë do t’i lija më pas 100 milionë menjëherë. Më pas, para të tjera do arkëtoheshin dhe me Kristianon paratë bëhen menjëherë. Megjithatë, nuk u bë asgjë, sepse Mendesh është një njeri shumë i shpejtë, i cili nuk pret. Kështu, e kuptova që nuk kishim kohë të mjaftueshme. Ç’të bëja, të hidhja gjithçka në erë për Ronaldon? Sepse pastaj të gjithë duhet të luajnë për të. Si do reagonin tifozët? Do e donin gjithmonë në fushë dhe pastaj formacioni do bëhej duke nisur nga Ronaldo”.
De Laurentis ka komentuar edhe zërat e merkatos që flasin për një shkëmbim me Milanin: “Shkëmbim Kajehon-Suso? Nuk më rezulton diçka e tilla. Fabian Ruiz? Te ne vijnë vetëm lojtarë të nivelit shumë të lartë, sepse jemi shumë të kujdesshëm në seleksionim dhe Ruiz është i jashtëzakonshëm, luan në disa pozicion në mesfushë”.