David De Gea i ka kërkuar ndihmë mbrojtësit të Real Madridit, Serxho Ramos, që të bëjë të mundur kalimin e tij në “Santiago Bernabeu”. Lajmi vjen nga gazeta portugeze “A Bola”. Sipas saj, portieri i Mançester Junajtidit ka folur me madrilenin gjatë grumbullimit të fundit me kombëtaren spanjolle.
Numri 1 i “Furisë së kuqe” synon të kthehet në Spanjë te “Los Blancos”, por klubi anglez nuk e lejon. Kushti i vetëm i “Djajve të kuq” është rikthimi i Kristiano Ronaldos në “Old Trafford”. Më 31 gusht 2015, për shkak të një problemi me dokumentet, De Gea qe aq i pafat saqë “ngeci” në Mançester, edhe pse klubet teorikisht kishin rënë dakord për transferimin e tij.