Xhani De Biazi është rikthyer të flasë për kombëtaren shqiptare, emocionet e shijuara dhe vështirësitë e të punuarit me futbollistët shqiptarë. Mbas Botërorit të Rusisë, 62-vjeçari ishte pranë stolit të Polonisë, por drejtuesit e federatës vendosën t’i besonin tjetërkujt drejtimin e Polonisë. De Biazi nuk e priti mirë atë gjest, por çdo gjë ka kaluar dhe italo-shqiptari mbetet në pritje të një oferte tjetër.
Në një prononcim për mediat polake, De Biazi i është rikthyer arritjeve në karrierë dhe ndalet te eksperienca me kombëtaren e Shqipërisë.
Arritjet – “Kam ngjitur Modenën dhe Torinon në Serinë A dhe pastaj jam larguar. Kur mora drejtimin e Shqipërisë, u mahnita nga pasioni i tifozëve, të cilët ishin të çmendur pas futbollit. Diçka e tillë më kujtonte Napolin në Serinë A. Kualifikimi ynë në Euro 2016 krijoi një entuziazëm të madh në vend dhe të gjithë u çmenden me arritjen dhe paraqitjet tona.”
Shqipëria – “Nuk është aspak e thjeshtë të punosh me shqiptarët, sepse ata bëhen shumë euforikë mbas fitoreve dhe unë duhet t’i mbaja me këmbë në tokë. Duhet të flasësh gjatë me to, të përkthesh dhe të kesh një humor të mirë. Zhvilluam një paraqitje të mirë në Francë dhe ishim pranë kualifikimit. Fituam me Rumaninë dhe ajo fitore u përjetua si fitimi i një Kupe Bote në Shqipëri.”
Largimi nga kombëtarja – “Kishim një grup shumë të vështirë në kualifikueset e Kupës se Botës, por nuk luajtëm një futboll të keq. Erdhi momenti për të provuar sfida të reja, të ndryshoja ambient dhe në bashkëpunim me federatën vendosëm të ndaheshim. Do të shkoja në Shqipëri për pushime, por nuk do të kisha kohë për të pushuar, sepse do e harxhoja kohën duke dhënë autografe dhe bërë foto. Kjo është një kënaqësi e madhe për trajnerin dhe lojtarët, sepse e ndjen lumturinë që u ke dhuruar njerëzve”, përfundon ish-trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi.