De Biazi largohet pas Izraelit, cikli i ri nis nga Alban Bushi?

 

Armand Duka shmang takimin me italianin: direkt fluturim në Haifa, për të ndjekur Izrael-Shqipëri. Trajneri italian, i detyruar të prezantojë dorëheqjen. Trajneri i U-21 drejt stolit kuqezi, Bogdani i merr vendin te Shpresat

Anton Cicani

Aventura e Xhani de Biazit në stolin e Shqipërisë ka mbërritur drejt fundit. Edhe 90 minuta për të kuptuar se çfarë do të ndodhë por, përshytpja e akumuluar përgjatë gjithë edicionit të kualifikueseve të Botërorit 2018 në Rusi të çon vetëm në një drejtim: divorc i pashmangshëm. Dhe, në këtë pjesë, edhe drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit, janë pajtuar plotësisht. Pesë humbjet radhazi, pastaj, përshpejtojnë një proces i cili mund të kishte qenë edhe më i gjatë, pasi nëse kuqezinjtë do të kishin fituar ndonjë nga këto ndeshjet, ndoshta mund të krijohej ideja se në grup ekziston harmonia. Nuk është kështu dhe këtë e dinë të gjithë protagonistët: federata, trajneri dhe lojtarët.

Ftohtësia – Kohë më parë, “Sport Ekspres” do të analizonte situatën kontraktuale të trajnerit të Shqipërisë, i cili në letër mund të qëndrojë deri në fund të eliminatoreve, por në një vit nuk është bërë asnjë tentativë më e vogël për rinovim nga presidenti Armand Duka. Motivi? E thjeshtë: përpara Europianit, italiani nuk ka menduar për asnjë moment që të ulet në tavolinë me drejtuesin e futbollit shqiptar, duke preferuar që të shtyjë çdo diskutim dhe të mos “përfshijë” klauzola të tepërta në kontratën e tij (qëndron vetëm ajo e 100 mijë eurove, por gjithsesi mund të quhet e djegur në këtë moment). Në krahun tjetër, pas Europianit, Duka nuk ka pasur asnjë kontakt, qoftë edhe telefonik, me trajnerin. Sepse, kreu i FSHF-së e mendoi të mbyllur ciklin e italianit dhe priste që ky i fudit të afrohej dhe të kërkonte takim, për të paraqitur dorëheqjen, sepse shkarkimi s’mund të vinte nga federata, duke qenë se më pas duhej dëmshpërblimi si në imazh, ashtu edhe në financa (minimalisht katër rroga). Atëherë, e gjitha kjo mbeti si Lufta e Ftohtë, ku Amerika dhe Rusia fuqizoheshin njësoj, mblidhnin prova njësoj, por vepronin në distancë dhe pa u ballafaquar. Ndërkohë, citatet “kam refuzuar shumë oferta sepse besoja te projekti kuqezi” mund të vazhdojnë edhe për disa ditë, deri sa maskat të bien.

Ofertat fantazmë – Itali, Arabi, Spanjë Emirate dhe, së fundmi, Kinë. Xhani de Biazi është ndër trajnerët më të kërkuar në univers… Nëse lexon mediet italiane, të duket sikur flitet për Pep Guardiolan, Karlo Ançelotin e të tjerë, që janë pjesë e kastës më të famshme të drejtuesve të stolit. Sigurisht, mrekullia “Shqipëri” ishte kartëvizita më e bukur, por që nga aty të arrish të dëgjosh e lexosh çdo ditë se trajneri kuqezi kërkohet nga shumë klube, duket e ekzagjeruar. Edhe pse, sa herë që ka qenë në Shqipëri, vetë italiani ka mohuar çdo lloj lajmi të shfaqur në mediet përtej Adriatikut. Në fakt, e vetmja ofertë e konfirmuar prej tij është ajo e Palermos, ndër të tjera serioze dhe e vërtetë. Në Siçili, De Biazi u takua me Xamparinin, por e dinte se s’mund të shpëtonte dot Palermon nga rënia në kategori dhe hoqi dorë. E gjithë çfarë u servir më pas si “sakrifica për të mos lënë Shqipërinë” e shumë argumente të tjera, ishin thjesht për të plotësuar tryezën.

Meeting  –  Kështu, duke “u zvarritur” mes deklaratave luajtëm mirë, por ishim të pafat. “Arbitri na dënoi”, ose “ka humbur dëshira që kishim përpara dhe gjatë Europianit” e të tjera me radhë, u mbërrit në këtë pikë zero, ku edhe duhet të ndahet çdo gjë. Në fakt, Armando Duka, presidenti i FSHF-së, duhet të udhëtonte drejt Stambollit për të biseduar kokë më kokë me trajnerin. Një takim formal, i cili me siguri s’do të pasqyrohej kurrë nga ambiente brenda federatës si lajm, për të vetmin fakt se këtë herë nuk ka entuziazëm, por do të ishte thjesht divorci me një trajner që u zgjodh plot 6 vjet më parë (në nëntor të vitit 2011), për të sjellë ndryshimin. Ndryshim plani. Kreu i FSHF-së. Ai ndryshim erdhi dhe historinë e shkruam. Por, libri kuqezi i De Biazit është në faqet e fundit, në prolog… Edhe nëse fiton ndaj Izraelit, do të largohet me një kënaqësi të fundit.

Pasardhësi  – Por, “Sport Ekspres” ka arritur të sigurojë edhe emrin e pasardhësit të De Biazit. Edhe pse dje ka pasur debutimin me kombëtaren U-21, Alban Bushi pritet që të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë. “Mjaft me të huaj!”. Është ky verdikti i presidentit të FSHF-së, që ka vendosur t’i japë një shans ati që punuar për katër vjet me trajnerin italian, deri kur u emërua në krye të pankinës së Shpresave. Me largimin e Bushit, do të ketë edhe spostime të tjera, sepse Erjon Bogdani pritet që të ngjisë shkallët te U-21, pasi tani po drejton kombëtaren U-19, e cila mund të merret nga Ervin Bulku, që sot punon me kombëtaren, në stafin e De Biazit. Sigurisht, tani duhet të presim vetëm që ndryshimet të vijnë, sipas kohës, çdo gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *