De Biazi e pranon: Nuk e kam menduar rinovimin!

0

Rinovimi i Xhani de Biazit? I pamundur! Thjesht një utopi dhe asgjë më shumë. Presidenti Duka ka lënë të kuptohet se do të mbajë trajnerin deri në fund të edicionit, pra tetor, teksa italiani në konferencën e sotme për shtyp tha hapur se nuk e ka menduar rinovimin e dytë të kontratës, pasi e bëri këtë gjë automatikisht sipas klauzolës që kishte në kontratën e firmosur në vitin 2011. Më pas, tekniku nisi të irritohej pas disa pyetjeve, teksa pasi i kujtuan se ka thënë se do të fitojë këtë sfidë, reagoi kështu:

“Nuk kam thënë që do ta fitojmë ndeshjen. Por, që do të luajmë për të fituar, ashtu si tentuam në Luksemburg, ku luajtëm aq dobët sa humbëm. Nëse paraqitemi përsëri ashtu, do të humbasim edhe këtu. Jeni të kënaqur?! Vendi i tretë? Ka pasur shumë raste që Shqipëria është klasifikuar e katërta dhe e pesta. Llogaritë bëhen gjithmonë në fund. Por, ndryshe nga ajo që them në konferencë, më rëndësi ka atmosfera e asaj që skuadra do të tregojë në fushë.

 “Të gjitha ndeshjet mund ti fitosh. Varet si i interpreton, si i përgatit dhe nëse ke më tepër dëshirë se kundërshtari. Ndeshjet janë të hapura në fillim, më pas gjithçka varet nga kujdesi gjatë lojës, nga mënyra si i shfrytëzon rastet, cilësitë e lojtarëve dhe loja në grup. Këto janë elementët që të ndihmojnë të arrish objektivin. Mënyra e lojës? Ju flisni për numra dhe për skema, por më e rëndësishmja është çfarë interpretojnë lojtarët dhe si e interpretojnë, në mënyrë kolektive apo individuale. Në jetë nëse do të arrish diku, duhet të japësh më të mirën dhe të jesh mbi kundërshtarin. Ajo që kërkoj është një përgjigje, që Shqipëria të luajë si skuadra e dy vjetëve të fundit, duke vendosur në vështirësi ekipe më të mëdha dhe më cilësore.”

 

Në fund, kritika edhe për ata lojtarë që gjatë sezonit janë aktivizuar më pak, por që me Luksemburgun nuk e shfrytëzuan rastin, si Aliji dhe Lenjani, pa harruar edhe Kaçen.

Janë ndeshje në fund të sezonit, ku na munguan edhe lojtarë të rëndësishëm që erdhën në Stamboll. Gabuam raste të pamundura përpara portës dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen në pjesën e parë, por pësuam dy gola pas gabimeve tona. Ishte ndeshje e keqe, jo vetëm sepse humbëm. Kemi lojtarë që kanë luajtur 50 ndeshje, por edhe futbollistë me vetëm 3 ndeshje. Prisja më tepër nga ata që kanë pasur më pak hapësira aktivizimi. Këtyre të fundit ua dhashë hapësirë dhe ky shans duhej kapur, sepse mundësitë nuk vijnë gjithmonë”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.