Andrea Pirlo nuk është më një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Italisë. Federata ka marrë këtë vendim për shkak të bashkëpunimit të tij me një kompani bastesh ruse. Andrea Pirlo ka thyer heshtjen dhe ka reaguar përmes rrjetit të tij social në “Instagram”. Ish-mesfushori i njohur italian ka deklaruar se këtij rasti po i jepet ngjyrim politik dhe se e ka ndjekur me hidhërim debatin që po rrethon emrin e tij. Pirlo falenderon Maldinin dhe Leonardon, ndërsa në fund shton se dashuria e tij për Italinë do ta shoqërojë gjithmonë.
“Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, deri më tani kam zgjedhur të hesht, por pasi mësova mbrëmë se nuk jam më kandidat për stolin e ekipit kombëtar italian, mendoj se është e nevojshme të sqaroj disa aspekte.
Në ditët e fundit kam qenë dëshmitar me hidhërim të madh i debatit që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë së mbulimit të rolit të trajnerit të ekipit kombëtar italian. Gjatë karrierës sime, së pari si futbollist dhe sot si trajner, gjithmonë e kam kryer aktivitetin tim në respekt të plotë të ligjeve të vendeve në të cilat kam punuar dhe kontratave që kam nënshkruar.
Bashkëpunimi profesional që është objekt i polemikave të fundit lindi si pjesë e karrierës sime në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i një natyre tregtare dhe sportive. T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë t’i atribuosh vetes bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin mua.
Dua të falënderoj Maldinin dhe Leonardon për respektin dhe besimin që më kanë treguar. E di kompetencën e tyre, seriozitetin e tyre dhe dashurinë që i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian. Më vjen keq që një zgjedhje me natyrë sportive u zvarrit shpejt në një përballje publike që përfundoi duke i atribuar personit tim kuptime dhe qëllime që nuk më përkasin mua.
Dashuria për Italinë nuk varet nga një detyrë. Është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të vazhdojë të më shoqërojë, gjithmonë”, ka reaguar Andrea Pirlo./Sport Ekspres/