Më shumë se sa një pasion. Mjafton një ndeshje e thjeshtë, ska rëndësi kategoria, as kompeticioni. Nëse dashurohesh me një ekip, ngjyrat e atij klubi do jenë gjithmonë pjesë e zemrës tënde. Historitë me tifozë të ndryshëm janë të larmishme, të mrekullueshme dhe shpesh herë dhe të pabesueshme. Një e tillë është edhe kjo që do tregojmë. Bëhet fjalë për ekipin e Lacios dhe një tifoz grek. Plot 20 vite që Panos është i abonuar për të ndjekur ekipin më të vjetër të qytetit të përjetshëm, Lacion. Brenda dhe jashtë fushe. Nëpër Itali dhe nëpër Europë. Gjithmonë mbas ngjyrave bardhekaltër.
“Vij të paktën njëherë në muaj nga Athina në Romë. Ka 20 vite që abonohem si tifoz bardhekaltër. Edhe djali im tashmë është lacial. Nuk e ndjekim më futbollin grek, por vetëm Serinë A”, tregon Panos, 48-vjeçari nga Athina.
Lacio, si çdo klub tjetër i madh ka tifozë në të gjithë botën. Në fundin e viteve 90, ekipi i drejtuar nga suedezi Erikson dhe presidenti karizmatik, Serxhio Kranjoti, ishte një ndër skuadrat më të forta dhe spektakolare në Europë. Një “Skudeto” i fituar, një Kupë Kupash (ekipi i fundit që ka fituar kompeticionin ku përballeshin vetëm fituesit e Kupave të shteteve të ndryshëm) dhe një SuperKupë Europiane e fituar përballë Mançester Junajted. Diçka e tillë shtoi tifozët lacialë nëpër botë, sidomos në Suedi, por jo vetëm. Aty lindi dhe dashuria e Panos për “Shqiponjat bardhekaltër”.
Ishin vite ku interneti dhe informacioni i marrë nuk ishin në nivelet që janë sot. Ishte krijuar komuniteti “Lazio World” dhe një radio që transmetonte në anglisht. Panos merrte çdo informacion dhe dëgjonte radion e ekipit të zemrës. Më pas abonim dhe stadium. Për plot 20 vite rresht. Jetonte në Athinë dhe ndiqte Lacion e tij nëpër stadiumet e Italisë. Sapo ka siguruar abonimin vjetor dhe për këtë vit dhe Panos e mbyll në këtë formë. “Do të jem në Olimpiko në ndeshjen e javës së parë me Napolin.”
Gjithmonë me Lacion në zemër dhe gati për të nisur një sezon të ri dhe për të provuar emocione të reja.Nga ata që ia dhuron vetëm Lacio…