Danilo Alvesh i bindur: I kthejmë reston Skënderbeut

Sulmuesi i Flamurtarit nuk i dalin llogaritë: Duhej të kishim më shumë pikë, por shohim përpara. Kundërshtari ka cilësi, por me tifozët e mundim  

Elton Nika

Pas një faze të parë, ku Flamurtari ka luajtur mjaft mirë dhe ka marrë rezultate pozitive, synohet vazhdimësia dhe pse jo ngjitja në vend të dytë sa më shpejt. Dhe ky “mision” nis me një sfidë të vështirë, pasi në Vlorë vjen Skënderbeu, një kundërshtar i fortë që kryeson Superioren dhe që deri tani nuk njeh humbje. Për vlonjatët është një ndeshje speciale kjo ndaj Skënderbeut, pasi kështu ka qenë gjithë këto vitet e fundit. Tifozët presin fitoren në këtë ndeshje që për ta vlen shumë.

ALVESH – Danilo Alvesh, para se të flasë për ndeshjen e radhës, i bën një përmbledhje fazës së parë dhe si të gjithë në kampin vlonjat, thekson se Flamurtari meritonte më shumë për atë që ka dhënë në fushë: “E kemi mbyllur fazën e parë me një barazim ndaj Kukësit, – shprehet braziliani, – por meritonim të fitonim, pavarësisht se pjesën e parë e mbyllëm në disavantazh. Në pjesën e dytë Flamurtari ka pasur momente të diskutueshme, si goli që nuk u akordua në fund të takimit, por edhe një penallti, që dhe ju e patë se ishte e pastër, por që nuk na u dha. Megjithatë, ishte një fazë parë pozitive dhe kam besim se “moti” në Vlorë do të jetë më i mirë  në vijim. Gjatë fazës së parë ka pasur edhe shumë episode të tjera në dëm të skuadrës sonë, ky është një fakt. Ne lojtarët po mundohemi që të jemi te fokusuar të fusha, por janë episode që të mbeten në mendje. Nuk është fjala vetëm për Kukësin, por edhe për ndeshje të tjera, ku Flamurtari është dëmtuar. Megjithatë, kemi ecur përpara, duke menduar vetëm fushën e lojës dhe duke i marrë ndeshjet një nga një. Desha të them se sot duhej të kishim disa pikë më shumë në renditje dhe rrjedhimisht një tjetër pozicion”.

SKËNDERBEU – “Një ndeshje e radhës. Gjithmonë shohim vetëm kundërshtarin e radhës dhe mendoj se këtë herë luajmë përballë një skuadre me shumë cilësi. Të shohim çfarë do të ndodhë të enjten…Objektivi ynë është i qartë: të fitojmë ndeshjen e radhës dhe kështu kemi vepruar deri tani”, – shton sulmuesi Alvesh.

NDRYSHIMI – Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i kaluar, kur luanim për të qëndruar në Superiore? Mendoj se gjithçka nisi mirë këtë sezon. Nisi nga puna që kemi kryer që në verë, kur skuadra ishte thuajse e gjitha e re. Flamurtari e ka nisur shumë shpejt fazën  përgatitore, që ishte e gjatë dhe shumë efikase. Patjetër që edhe trajneri ka një rol kyç dhe shumë të rëndësishëm në këtë skuadër, pasi e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Tashmë duam që të ecim përpara”, – shprehet braziliani.

TIFOZËT – Në fund Alvesh ka edhe një mesazh për tifozët vlonjatë: “Pres të jetë një stadium i mbushur me sa më shumë tifozë në ndeshjen me Skënderbeun, por edhe në vazhdim të kampionatit. Ndaj Skënderbeut është një ndeshje e veçantë, sepse kundërshtari i radhës është i vetmi që na ka mundur deri tani. Besoj shumë se të enjten, bashkë me tifozët, do t’i kthejmë reston Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *