Danilo Alvesh: Duhej të fitonim, tani mendjen te finalja e Korçës

0

Sulmuesi i Flamurtarit flet pas golit dhe pikës së çmuar që Flamurtari mori në Kukës. “Penalltitë na jepen lehtësisht kundër, me shumë vështirësi pro”

Jurgen Zela

Danilo Alvesh është njeriu i momentit te Flamurtari, sepse në vitin e ri ka shënuar 2 nga 3 golat e Flamurtarit. Mposhti Partizanin në kupë, shënoi edhe në Kukës, aty ku Flamurtari nuk kishte marrë kurrë pikë deri të dielën. Sulmuesi brazilian duket se më në fund është zhbllokuar, pasi në pjesën e parë të sezonit shënoi vetëm një gol dhe po e vuante jo pak këtë gjë, edhe pse trajneri Duro e vlerësonte shumë faktin që sulmuesi vrapon pa fund e krijon raste për shokët, ndërsa problem ishte finalizimi. Edhe në Kukës Danilo e humbi një rast të pabesueshëm në fund, kur Koliçi doli në mënyrë të gabuar dhe Kukësin e shpëtoi fati nga pësimi i golit të dytë. Gjithsesi, Alvesh është i kënaqur me atë që po bëjnë ai dhe Flamurtari dhe tani sheh përpara, nga finalja kundër Skënderbeut të premten. Është një finale e vogël, këtë gjë e kanë të qartë në Vlorë, por Danil Alvesh ul presionin, pasi ashtu si trajneri Duro, edhe ai shprehet se vendi i dytë konsiderohet sërish sukses, nëse nuk kapet kreu.

– Dy gola në dy ndeshjet e fundit, duket se viti i ri ka nisur mbarë.

– I lumtur për golin, i lumtur që më në fund morëm pikë në Kukës, edhe pse meritonim fitoren. U ndëshkuam në fund, jemi pak të mërzitur, sepse ishim shumë pranë fitores, edhe unë humba një rast të pastër në fund, nuk e godita si duhej topin, sepse nuk e pandeha që portieri do gabonte në dalje. Tani mendojmë për ndeshjen në Korçë, që është më e vështira e sezonit, synojmë rezultat pozitiv.

– Penallti kundër, protesta pa fund nga ju…

– Nuk e di, të them të drejtën, në fushë nuk e pashë mirë, por ishte edhe një penallti pro nesh në pjesën e parë. Nëse na jepet penallti e dyshimtë kundër, le të jepet edhe ajo për ne, duhet pak drejtësi. Për këtë protestuam dhe protestojmë, sepse rastet e dyshimta trajtohen ndryshe kur janë për ne dhe ndryshe kur janë kundër nesh.

– Duke parë renditjen, synim më real Europa League? A jeni të kënaqur me vendin e dytë?

– Të shohim, pak nga pak, javë pas jave. Nëse nuk arrijmë dot të shkojmë më lart, do të mundohemi të ruajmë vendin e dytë. Për ne edhe kualifikimi në Europë është sukses.

– Kujt ia kushtoni këtë gol?

– Familjes sime, si dhe tifozëve të Flamurtarit, të cilët presin shumë prej meje dhe prej gjithë skuadrës.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.