Dani braktis Vllazninë, “mollë sherri” bëhet Shkoza

Trajneri i portierëve prej dy ditësh nuk stërvit portierët. Afrimi si portier i tretë i Entoni Shkozës krijon debat të fortë me drejtuesit. Dani nuk largohet

Plas te Vllaznia para fillimit të kampionatit. Reparti më i komentuar i kuqebluve ka qenë porta, ku shumë portierë janë provuar e po aq janë larguar duke iu besuar kuadrati përsëri Erind Selimajt, ndërsa i riu Alen Sherri ka qenë si portieri i dytë. Portieri i tretë ka qenë vakant, ndërsa trajner portierësh vazhdon të jetë në fuqi Avenir Dani.

Pikërisht lëvizja e këtij të fundit ka bërë që të plasi sherri në kampin kuqeblu. Ish-portieri i Vllaznisë ka debatuar ashpër me drejtuesit, pasi ka afruar në skuadër si portier të tretë të riun Enton Shkoza. 16-vjeçari është pëlqyer nga Dani dhe ai mendon se ka të dhëna të mira dhe ka potencial për të ardhmen.

LARGIMI – Informacione pranë klubit kuqeblu bëjnë me dije se trajneri i portierëve Avenir Dani prej dy ditësh nuk ka dalë në stërvitje. Dani ka lënë në mes punën me portierët e tij Selimaj, Sherri dhe Shkoza, duke braktisur edhe Cungun dy ditë para fillimit të kampionatit. Arsyeja e largimit ka qenë afrimi në skuadër i portierit 16-vjeçar Enton Shkoza. Dani e ka përzgjedhur për të qenë portier i tretë i Vllaznisë, por drejtuesit nuk e kanë pëlqyer. Kjo ka bërë që mes tyre të ketë debate të forta që kanë çuar deri në largimin e Danit dhe moskthimin e tij pranë skuadrës as në stërvitjen e djeshme.

SHKOZA – 16-vjeçari është pëlqyer nga trajneri Dani për parametrat e tij të mira trupore dhe elementë të tjerë që trajneri i portierëve ka parë. Shkoza nuk është gati për të mbajtur presionin, pasi është ende i brishtë, por Dani e ka pikasur në kombëtaret rajonale të moshave. Shkoza bën pjesë në kombëtaren e veriut dhe është stërvitur nga Dani. Aty ka qenë edhe kontakti i të dyve, Dani ka dashur ta afrojë pranë kontingjentit të ekipit të parë që të punojë me të, por kjo nuk është pranuar nga drejtuesit. Drejtuesit e Vllaznisë e kanë kundërshtuar këtë duke acaruar më tej situatën. Kjo ka çuar edhe në prishjen përfundimtare të marrëdhënieve.

DEBATET – RIKTHIMI  – Dani ka debatuar me drejtorin Eugent Zeka në lidhje me afrimin e Shkozës. Tonet kanë qenë të larta dhe kjo ka çuar në krisjen e marrëdhënieve mes palëve. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me zëdhënësin e shtypit Gjergj Kola që tregon se Dani është pjesë e Vllaznisë dhe se do të jetë sot në stërvitje me skuadrën.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online