Dalipi: Fitore e vështirë, shpreojmë te gabimi i Laçit

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, u shpreh se ishte një fitore e vështirë për skuadrën e tij. Njëkohësisht për “Supersport” numri 1 i stolit të “demave” foli dhe për ndeshjen mes Laçit dhe Kamzës si dhe të ardhmes.

“Fitore e lehtë? Jo, ishte një ndeshje shumë e vështirë, duke parë si rrodhën ngjarjet deri sa shënuam golin. Humbëm raste të mira dhe më pas Flamurtari na vuri në vështirësi, por goli i Abdurahimit e qetësoi skuadrën. Në pjesën e dytë patëm disa dëmtime, por skuadra u soll mirë dhe bëri gjithçka mirë, përveç golit të pësuar. Futbolli ka treguar se kur pëson gola të tillë e pëson keq, duke i dhënë shpresë kundërshtarit që të tentojë përmbysjen”.

“Laçi fitoi? Më vjen keq që ndodhi kështu, Kamza ishte në barazim në fund, tashmë duhet të shpresojmë te ndonjë gabim i Laçit. Skuadra është e motivuar, kemi një skuadër të kompletuar edhe në stol dhe do të tregohemi profesionistë deri në momentin e fundit”.

“E ardhmja? Nuk e di ende, por mendoj se duhet të ruhet boshti i skuadrës. Kemi lojtarë shumë cilësorë, që thjesht kanë pasur nevojë për kohë. Grupi tani është i plotë, më i mirë se çdo skuadër tjetër. Më vjen keq për luhatjet që kemi pasur në disa momente, por do të bëjmë maksimumin për ta mbyllur mirë dhe më pas të shohim. Jam i kënaqur nga lojtarët, po paraqiten shumë mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *