Dalipi: Dëmtimi i Lukasit, goditje e rëndë. Me Starovën mbetemi miq

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka folur në prag të ndeshjes ndaj Lushnjës, duke kërkuar përqendrim maksimal në prag të një sfide që mund të rezultojë shumë më e ndërlikuar nga sa duket. Dalipi ka folur edhe për polemikat e krijuara nga lajmet se një trajner kroat mund të marrë drejtimin e skuadrës në fund të sezonit, ndërsa ka komentuar edhe deklaratat e Sulejman Starovës, i cili para pak ditësh tha se kishte mbetur i zhgënjyer nga sjellja e Dalipit.

Momenti i skuadrës: “Ndaj Skënderbeut pjesa e parë shkoi mirë, por dëmtimi i Lukasit që në fillim na prishi shumë punë në vazhdim. Edhe këtë javë ka pasur tendencën për të shqetësuar skuadrën, por unë gëzoj mbështetjen maksimale nga presidenca e klubit dhe ndihem shumë komod, ashtu si lojtarët. Mendojmë për Lushnjën, kundërshtar që është jashtë objektivave, por do të përqendrohemi në maksimum, sepse janë ndeshje të sikletshme, ku duhet shumë seriozitet, aq më shumë që Lushnja ka luajtur mirë dhe ka fituar edhe në Kukës, ndaj i ka mundësitë të befasojë, por objektivat tona janë madhore dhe na duhen 3 pikët.

Trajneri kroat në stadium: “Unë deri në fund të sezonit kam besimin e skuadrës dhe të presidentit, ndaj jam i qetë. Pas humbjes ndaj Skënderbeut isha i mërzitur, por situata të tilla më bëjnë më të fortë e më të motivuar. Nuk dua të merrem më shumë me këtë histori, sepse kemi ndeshje përpara dhe javët e fundit janë shumë delikate, na duhet përqendrim. Të tjerat ia lëmë kohës. Unë uroj shumë që çdo gjë të shkojë mbarë për mua si trajner dhe të shkojmë në Europë, ndërsa më pas shpresoj të konfirmohem.

Starova dhe zhgënjimi i tij ndaj Dalipit: “Më kanë thënë për deklaratat e tij, nuk i kam lexuar vetë. Marrëdhënia ime me Starovën ka qenë shumë e fortë për 3 vite dhe nuk mund të thyhet nga një zhgënjim i momentit. Ne jemi profesionistë dhe do mbetemi miq, përtej ndonjë hatërmbetjeje të vogël të momentit. Për mua Starova do mbetet një nga njerëzit që respektoj shumë dhe që kam punuar më shumë.

Çfarë ndodh në rast se vjen një hap fals në Lushnjë? “Nuk futemi në fushë duke menduar çfarë do të ndodhë nëse gjërat shkojnë keq. Suadra duhet të hyjë në fushë vetëm për fitore dhe të japë gjithçka, pastaj nëse gjërat nuk shkojnë si duam, është tjetër diskutim.

Formacioni: “Dëmtimi i Lukasit është problem, sepse ishte lojtar me rritje të jashtëzakonshme fizike dhe ka rezultuar shumë efikas në ndeshjet e fundit, ndaj më vjen keq për dëmtimin e tij, por kam shumë lojtarë cilësorë, si Çani, Abdurahimi, Bardhi e Asani, apo edhe Ramadani që pret t’i jepet mundësia dhe nëse do jetë e mundur, do keë hapësirë në Lushnjë për të treguar sa vlen”.

Kotobelli: “Nuk ka hatërmbetje, thjesht ndaj Skënderbeut zgjodha Trashin, por jo se Kotobelli është jashtë planeve të mia. Jemi profesionistë, vendimet e stafit duhen pranuar dhe për ndeshje të caktuara zgjidhen lojtarë të caktuar. Nuk kam asgjë me Kotobellin dhe do t’i jepet sërish mundësia të luajë, nëse vijon të stërvitet me seriozitet”.

One thought on “Dalipi: Dëmtimi i Lukasit, goditje e rëndë. Me Starovën mbetemi miq

  1. Po po ju i boni te gjitha ,si ti si sula ,
    Partizani los vete edhe pa trajner fare….biles do ishte me mire pa trajner fare…se me ju dallaverexhin ,
    Qe u vje era raki dy ore larg..dhe udhra…?

Leave a Reply to Dr Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *