Për trajnerin e bardhekuqve, për asnjë arsye Skënderbeu nuk duhet të mendojë gjë tjetër veçse triumfit për transfertën e sotme ndaj kurbinasve
Leonard Trebica
Ka qenë Ilir Daja, ai që ditën e djeshme, pas seancës së parë dhe të vetme të të tijve në Durrës para ndeshjes me Laçin, ka zbuluar gjendjen e ekipit, duke deklaruar mungesat, por edhe se si të tijtë do të rreshtohen sot në fushë ndaj kurbinasve. Për njëshin e stolit bardhekuq, nuk do të ketë asnjë justifikim në rast se Skënderbeu nuk do arrijë të shënojë fitoren e radhës, edhe pse lodhja ka bërë të tijën.
-Profesor, vetëm 24 orë pas mbërritjes në Shqipëri vjen ndeshja e radhës në Laç. Sa është çlodhur skuadra?
– Aq sa mund të ç’lodhesh për 24 orë është edhe ç’lodhja jonë, por kemi mbi të gjitha edhe problemin e mungesave. Dita dhe Neshpor janë të dëmtuar, Soue u kthye në drekë, Osmani është me gjendje gripale, Nimaga dhe Demte mbërritën në orët e mbrëmjes. Të gjitha këto nuk janë aspak justifikime, sepse jemi mësuar tashmë. E dimë që do ta kemi të vështirë në Laç,kjo prej paraqitjes së deritanishme që kanë bërë kurbinasit, por shkojmë me objektivin e vetëm për ta fituar këtë takim.
-Shumë peripeci me ekipin e Skënderbeut në ndeshjen e fundit europiane. Kjo e dëmton ekipin?
– Skënderbeu në filozofinë e punës së tij nuk nxjerr asnjë justifikim. Tashmë që edhe Europa League ka përfunduar, përveç ndeshjes me Laçin na duhet t’i përgatisim me qetësi takimet e tjera në kampionati dhe Kupë.
-Patët pesë mungesa në Zvicër, po ndaj Laçit si është situata?
– Të them të drejtën edhe ndaj Laçit do të kemi po kaq shumë mungesa, por në fund të fundit duhet të gëzohemi, pasi nuk do të jemi pa sulmues, sepse rikthehet Xhejms. Edhe pse ndaj Laçit do të kemi pesë mungesa, e rëndësishme është që do të kemi lojtarë në të gjitha repartet.
-Sa e vështirë do të jetë për Skënderbeun kjo ndeshje?
-Si çdo ndeshje e radhës vështirësia qëndron se janë vetëm pak orë për të përgatitur grupin në një ndeshje si kjo. As 48 orë nuk kishim gjithsej, por mentaliteti i fituesit tregohet gjithmonë në kushte të vështira.
-Deri tani Skënderbeu është skuadra e vetme e pathyer në Superiore. Mendoni se do të mbeteni të pathyeshëm?
– Nuk është puna nëse do të mbetemi të pathyeshëm apo jo, pasi ne kemi objektivin tonë deri në fund dhe këtë lloj objektivi nuk e kemi. Për ne e rëndësishme është që në çdo ndeshje futemi në fushë për fitore.
-Përveç mungesave, ku qëndron vështirësia tjetër e ndeshjes me Laçin?
– Te konsumi i madh i energjive ndaj Jang Bojsit ditën e enjte, kthimi në mbrëmjen e së premtes dhe mungesat e Vangjelit, Ditës dhe Souesë e ndonjë tjetër janë më të rëndësishmet dhe e bëjnë disi të vështirë.
-Si do ta rreshtojë në fushë Daja ekipin?
– Edhe në Europë nuk kemi ndjekur asnjëherë taktikë mbrojtëse dhe nuk kemi ndërmend që ta bëjmë, aq më tepër në kampionat. Ato energji që na kanë mbetur do të mundohemi t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë, si nga ana psikologjike, por edhe muskujt të përgjigjen sa më mirë në fushën e lojës.
-Kukësi u ndal sërish në shtëpi, ndërkohë që është afruar Flamurtari. Mos ndoshta do të ketë presion me afrimin e rivalëve?
– Ne jemi një klub që nuk merremi me kundërshtarët, pasi ata kanë objektivat e veta. Na takon të shikojmë ndeshjet tona, ashtu si kemi bërë deri tani, në mënyrë që të marrim maksimumin dhe më pas të mos ndjejmë rivalitetin.
-Me vetëm një stërvitje para Laçit, cila ka qenë porosia e fundit për lojtarët?
-Në stërvitjen e vetme që kemi zhvilluar kemi dalë në fushë vetëm 45 minuta, pasi nuk na lanë reshjet e shumta të shiut që ta mbyllnim të gjithë seancën. Edhe për kaq pak, pashë reagimin e lojtarëve dhe më pëlqeu diçka e tillë.
-Europën e keni mbyllur tashmë. Mos ndoshta vjen momenti që edhe ju të merrni “frymë” lirshëm?
-Janë edhe tre ndeshje në Superiore dhe një në kupë. Më pas do të pushojmë në festat e fundvitit, gjë që të cilën e kemi të nevojshme nga ngarkesa e madhe që kemi pasur në Europë. Për momentin jemi të fokusuar edhe te këto ndeshje dhe më pas flasim.
– Ju kënaq barazimi ndaj Laçit, apo nuk e pranoni një gjë të tillë?
-Do të thosha që çdo ndeshje ka të papriturat e veta, por kurrë nuk jemi futur dhe nuk kemi për t’u futur në fushë për barazim. Do të futemi në fushë me objektivin e vetëm fitoren dhe nuk ka asnjë justifikim, qoftë për lodhjen, qoftë për mungesat.
-Ku qëndron forca e Laçit në këtë 90-minutësh?
-Laçi ka një skuadër simpatike dhe ka zhvilluar lojëra të bukura, duke marrë edhe pikët e duhura deri tani. Madje vijnë edhe pas asaj fitoreje ndaj Vllaznisë. Lojtarët kurbinas sillen mirë në fushë, kjo për meritë edhe të trajnerit. Këto mendoj se janë forca e këtij ekipi.
-Së fundi, si do ta vlerësonit skuadrën tuaj deri tani?
– Besoj që përgjigjen e ka dhënë fakti që Skënderbeu përtej mbështetjes së qytetit të vet, ka ndjerë mbështetjen edhe jashtë në Europë, ashtu si edhe në Zvicër, në takimin e fundit. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë dhe kjo është një arritje vërtet e madhe, përtej asaj që ne kemi dhënë në fushën e lojës.