Trajneri bardhekuq flet nga Antalia për gazetën, duke bërë analizën e këtyre ditëve dhe duke deklaruar që do presë deri në fund dy përforcime që i duhen shumë
Leonard Trebicka
Kanë kaluar katër ditë që kur Skënderbeu është akomoduar në Antalia, ku deri tani skuadra juglindore ka zhvilluar gjashtë seanca stërvitore dhe një ndeshje miqësore. Pas kësaj, trajneri Ilir Daja deklaron se ka mbetur i kënaqur nga të tijtë. Për numrin 1 të stolit bardhekuq, e rëndësishme është që ekipi po ecën mirë dhe rezultatet në testet miqësore nuk i interesojnë aspak, ndaj dhe nuk është pezmatuar aspak nga humbja me Bursasporin. Pas mbylljes së dy seancave të djeshme, trajneri Ilir Daja ka dhënë këtë intervistë për “Sport Ekspres”:
– Profesor Daja, Skënderbeu humbi 3-0 në testin e parë në Antalia ndaj Bursasporit. Çfarë nuk shkoi në atë miqësore?
– Dua të them se ishte dita e tretë e stërvitjes dhe të kërkosh një performancë të mirë në këtë periudhë është paksa e vështirë, pasi edhe ngarkesa është shumë e madhe. Për ndeshjet miqësore mund të them vetëm se nuk pretendoj të marr rezultate, por të shoh të gjithë lojtarët që kam në ekip për atë çka mund të japin dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë. Për këtë arsye, qoftë humbje barazim apo fitore, për mua janë thjesht teste, që kanë të bëjnë me formën e lojtarëve.
– Atëherë, si e keni parë skuadrën deri tani në këtë minifazë, kur ende nuk është mbushur java?
– Ekipin që në seancën e parë të stërvitjes në Antalia e kam parë mirë dhe të them të drejtën, jam i kënaqur, sepse lojtarët e kanë ruajtur formën. Ata kanë ndjekur udhëzimet apo programin që u është dhënë në këtë periudhë pushimi. Muskujt e lojtarëve janë të ngarkuar nga stërvitja dhe për këtë arsye po kërkojmë ta kursejmë sforcimin. Për këtë arsye vendosa që edhe ekipin të mos e mbaja gjatë në fushë në miqësoren e parë dhe përdora të gjithë kontigjentin për të parë formën e lojtarëve të tjerë. Prandaj, për këtë nuk mund të marrim për bazë ndeshjen me Bursasporin për përgatitjen tonë. E përsëris, ekipin e shoh mirë dhe dëmtime nuk kemi, prandaj jam i kënaqur.
– Deri tani është afruar zyrtarisht vetëm Blerim Krasniqi dhe janë larguar dy prej atyre që kishin ardhur në provë…
– Po, për Blerim Krasniqin kemi diskutuar edhe më parë dhe e njihnim si futbollist. Ai vetëm sot (dje) erdhi në skuadër dhe të shohim së pari si është gjendja e tij. Janë vetëm orët e tij të para me ekipin dhe sigurisht që një lojtar do kohën e vet për t’u përshtatur. Sa për dy lojtarët që ishin në provë, ata nuk i përmbushën kërkesat tona dhe nuk duam lojtarë për të plotësuar numrin, por të jenë vërtet cilësorë.
– Çfarë po ndodh me merkaton, me afrimet që sa shumë po i prisni ju dhe tifozët?
– Jemi në merkaton e janarit dhe hapësirat për të vepruar janë shumë të pakta, pasi nuk ka elementë të lirë që mund të të hyjnë në punë. Duam të afrojmë lojtarë që të rrisim kualitetin e ekipit dhe jo ta mbushim atë me elementë. Skënderbeu i ka elementët e duhur dhe besoj se këtu është e drejtë ajo çka thashë. Kemi nevojë për afrime në sulm dhe në mesfushë. Këtë e kemi thënë që në fillim.
– Po prisni edhe një mesfushor, përveç sulmuesit që tashmë dihet se duhet në ekip?
– Pa diskutim që po. E theksova se presim një sulmues dhe një mesfushor, pasi janë dy repartet, ku duhet të përforcohemi. Nuk di të them emra, apo se kush do të vijë. Por për këtë kam vënë në dijeni edhe presidentin dhe të presim ditët në vazhdim. Kemi diskutuar me presidentin Takaj edhe këtu në Turqi në momentin që ai erdhi pranë skuadrës. Asgjë nuk është e sigurt, pasi, siç thashë në këtë moment merkatoje alternativat janë shumë të pakta. Do të mundohemi që ato dëshira që kemi t’i realizojmë.
– Përveç ndeshjeve miqësore, skuadra çdo ditë kryen dy stërvitje. Mos ndoshta ngarkesa është e madhe?
– E tillë është kjo minifazë. Koha është e shkurtër për t’u përgatitur dhe nëse janë disa ditë që mund t’u japësh ngarkesë lojtarëve, janë pikërisht këto që do të kalojmë në Antalia. Deri më 19 janar kemi kohën e duhur që të vazhdojmë me dy stërvitje dhe më pas do ta ulim edhe ritmin. E rëndësishme është që gjithçka po shkon mirë dhe lojtarët po e përballojnë ngarkesën.
– Të premten luani ndaj Beshiktashit, një ekip mjaft i fortë jo vetëm në kampionatin turk…
– Në fund të fundit, këto janë vetëm teste dhe si ne, por edhe kundërshtarit, na vlejnë shumë. Do të vazhdojmë ngarkesën dhe njëkohësisht do të përshtatemi me të tilla takime. Gjithsesi, nuk jemi këtu në Turqi për të marrë fitore në miqësore. E rëndësishme është që skuadra të shkojë vërtet mirë deri në fund.