Ilir Daja e ka të qartë se sfida e nesërme kundër Dinamos së Zagrebit do të jetë një betejë, edhe në aspektin psikologjik. Nga Elbasani, trajneri i Skënderbeut ka folur në konferencën e zakonshme para ndeshjes: “Kemi një 90-minutësh më të vështirë se ndeshja e parë, pasi presioni është në të 2 kampet. Kemi një skuadër shumë të fortë përballë, që është mësuar të luajë në grupet e Champions League dhe Europa League. Por presioni nuk është vetëm në krahun e Dinamos por edhe në krahun tonë sepse kemi zhvilluar lojëra shumë të mira dhe të gjithë presin shumë nga ne. Shpresoj që tifozët të na qëndrojnë pranë dhe të na japin një dorë për të bërë realitet një ëndërr që është kualifikimi në grupet e Europa League”.
Është një moment mjaft i rëndësishëm, për Skënderbeun dhe Dajën: “Është një ndeshje e rëndësishme, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për ekipin, pavarësisht se Skënderbeu e ka një pjesëmarrje në grupet e Europa League kur përsërit vetveten është gjithmonë më e vështirë. Është një sfidë e veçantë edhe për faktin se Skënderbeu mund të bëhet skuadra e parë shqiptare që mund të kalojë 4 ture në Europë”.
Në këtë moment Daja mendon vetëm për kualifikimin: “I rëndësishëm është vetëm kualifikimi ne duhet të jemi pragmatistë, sigurisht që e kemi studiuar kundërshtarin bashkë me futbollistët, ashtu siç na kanë studiuar edhe ata ne. Një ndeshje e bukur mbahet mend vetëm një javë ndërsa kualifikimi të bën të hysh në histori, kështu që na intereson më shumë kualifikimi sesa ndeshja e bukur”.