Daja: Keqardhje, por nuk është fundi i botës

 

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi kundër Kamzës, mbi të gjitha për mënyrën si u pësua goli, me një gabim të pafalshëm në mbrojtje. Pas ndeshjes, në Supersport, Daja preku ndeshjen, rotacionin dhe renditjen.

BARAZIMI – “Na vjen keq, sepse pësuam gol në atë mënyrë në fund, por është pjesë e lojës. Duhet të marrim gjithnjë tripikësisht, brenda apo jashtë fushe, por sot nuk ia dolëm. Vinim nga një ndeshje impenjative në Vlorë dhe jemi pa dy lojtarë të rëndësishëm si Jashanica e Lilaj. Nuk bëmë shumë ndryshime, pasi nuk duhen ndryshuar rolet natyrale të lojtarëve. Sot krijuam shumë raste, shënuam vetëm një gol dhe kjo na kushtoi, sepse në fund një episod na hoqi fitoren”.

GABIMI TE GOLI – “ishte një top nga mesfusha kundërshtare dhe më vjen keq që u befasuam ashtu, sepse ishim në avantazh dhe duhej kujdes. Mbrojtja ishte e vendosur mirë, nuk ishim të çekuilibruar, por me sa duket mungoi vëmendja dhe kundërshtari përfitoi.

RENDITJA – “Na jep qetësi, sepse jemi në pozita komode, por natyrisht prej nesh pritet gjithnjë fitore, pritshmëri që ka ardhur nga niveli i Skënderbeut në kampionat e Europë. Nuk është fundi i botës që lamë dy pikë, sepse kemi qenë superiorë gajtë gjithë ndeshjes, kemi krijuar lojë, ndaj një rivali si Kamza, që jo rastësisht është në vendin e katërt, që nuk mundet lehtë. Mendoj se një fitore sot do të na jepte më shumë qetësi, por gjithsesi jam i qetë, sepse kemi mentalitet fituesi, duke kontrolluar çdo ndeshje”.

ROTACIONI – “U munduam ta bënim në ndeshjen e vajtjes në Kamzë dhe jam i mendimit që titullarët janë të një tjetër niveli dhe ata që vijnë nga stoli duhet ende të ngjiten në nivelin e titullarëve. Në aspektin teknik kemi lojtarë shumë të mirë në stol, por ata duhet të futen në ritmin e skuadrës bazë. Ata që kërkojnë të luajnë titullarë, duhet ta fitojnë, jo t’ua japin pa e merituar. Kamza mund të ketë më pak alternativa në stol, por nuk më takon të flas për kundërshtarët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *