Trajneri shmang replikat me Starovën dhe thekson se Tirana është vlerësuar maksimalisht, pavarësisht goditjes që mori me rënien nga kategoria
Leonard Trebicka
I është prishur disi humori nga dëmtimi i Orelesit në seancën e fundit, por trajneri Daja është optimist për fitimin e trofeut të kupës sot në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i korçarëve ka besim te grupi i tij dhe pret që të shprehet si duhet në fushë. Daja beson se gjithçka do të mbyllet brenda 90 minutave, ndërkohë që nuk dëshiron të bëjë asnjë replikë me trajnerin e Partizanit, Sulejman Starovën, që e kishte “sulmuar”. Po ashtu, kreu i stolit korçar shprehet se Tiranë duhet vlerësuar drejt, pavarësisht shokut, që pësoi pas rënies nga kategoria. Ja intervista e plotë e trajnerit të Skënderbeut një ditë para finales me Tiranën:
– Daja, si vjen Skënderbeu në këtë finale të Kupës ndaj Tiranës?
– Besoj se jemi të karikuar dhe në gjendje të mirë. Përveç mungesave, që tashmë dihen, me dënimet që Disiplina dha për Salihin dhe Osmanin, por edhe me të dëmtuarit që dihen, pjesa tjetër e ekipit ka zhvilluar stërvitje të rregullt. Fakt është që Latifi dhe Mici janë rikthyer tashmë dhe janë gati për takimin e nesërm.
– Po në aspektin psikologjik, si e keni parë grupin pas humbjes së titullit?
– Gjatë këtyre ditëve që kam folur me lojtarët, i kam parë të përqendruar dhe të qetë. Janë të qetë, pasi kanë bërë një kampionat mjaft të mirë, që në kohën kur unë kam qenë pjesë e Skënderbeut. Por edhe nga mënyra si ky titull nuk u arrit të fitohej, ata janë më të qetë. Në vetvete ndjehen plotësisht një grup fitues.
– Çfarë takimi prisni kundër Tiranës, që zyrtarisht është në Kategorinë e Parë?
– Natyrisht që kundërshtari është në një gjendje jo të mirë psikologjike, pas shokut të kaluar si pasojë e zbritjes një kategori më poshtë. Personalisht, dua të them se specifika e Kupës është e tillë, ku çdo ekip e gjen motivimin për të zhvilluar një 90-minutësh të mirë. Për më tepër Tirana, që kundër të mëdhave ka sjellë gjithmonë probleme.
– Sa rëndësi ka fitimi i këtij trofeu për ju?
– Ka qenë një objektiv i klubit që në kohën kur erdha këtu dhe pavarësisht se ishte një objektiv dytësor, me ikjen e titullit, ka kaluar në plan të parë. Duhet të bëjmë një takim të mirë dhe të sjellim kupën në Korçë, pasi ai publik, ai qytet, e meriton plotësisht. Duhet t’i bëjmë mbylljen e duhur sezonit. Në “Elbasan Arena” do të luajmë vetëm për ta fituar trofeun dhe kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve për ta bërë realitet diçka të tillë. E theksova edhe më sipër se duam ta mbyllim me trofe sezonin.
– Si e keni pritur deklaratën e Sulejman Starovës në adresën tuaj, teksa thotë se ju nuk duhet të flisni fare?
– Nuk dua të bëj asnjë replikë me askënd, pasi jam duke menduar vetëm për ndeshjen finale të kupës. Gjërat e tjera nuk më interesojnë në këtë moment.
– Duke parë përgatitjet e këtyre ditëve të fundit, si mendoni se do të shprehet ekipi në fushë?
– Kanë shkuar mirë dhe e thashë se një plus i madh është që u rikthyen në formacion Latifi dhe Mici, dy lojtarë që ishin të dëmtuar. Ata janë një plus më shumë për ne në këtë finale. Përgatitjet i bëmë në Durrës dhe tashmë grupi më duket optimist. E kam parë gjatë gjithë stërvitjeve dhe është diçka vërtet e mirë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të tregojmë më të mirën në fushë.
– Mendoni se Tirana vërtet do të jetë e copëtuar pas rënies nga Superliga?
– Jo, aspak. Nuk e mendoj një gjë të tillë. Këtë ua kam thënë edhe futbollistëve, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Tirana nuk mund të qajë akoma rënien, pasi e ka mbyllur sezonin dhe nuk ka kthim prapa. Edhe ata kanë objektiv ta fitojnë ndeshjen, pasi një gjë e tillë i çon në Europë dhe mund të jetë një farë ngushëllimi. Në fund të fundit, Tirana asnjëherë nuk është e lehtë.
– Do të ketë ndryshime Skënderbeu në fushë?
– Mendoj që po. Kam menduar ta rreshtoj ekipin me një skemë të re, 4-1-2-3, skemë që i shkon për shtat edhe për shkak të mungesave apo ndryshimeve, që patëm në këto javë të fundit, sidomos pas dëmtimit tepër të madh që pati Skënderbeu pas ndeshjes në Kukës. Nuk mund të zbuloj më shumë se kaq, pasi të tjerat do t’i shikoni nesër (sot) në fushë.
– Së fundi, a jeni i bindur jeni se Skënderbe e fiton këtë trofe?
– Patjetër që po. Do të bëjmë më të mirën në fushë gjatë gjithë ndeshjes dhe do të kërkojmë ta mbyllim në kohë të rregullt. Në këtë ndeshje do të shkarkojmë të gjitha “bateritë” për të gëzuar në fund një qytet si Korça me trofeun, që mendoj se do ta ngremë vetëm ne.