Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, mendon se me lojtarët e ardhur ekipi do të arrijë t’i përballojë si duhet të tre kompeticionet
Leonard Trebicka
Me sulmuesin Nespor dhe mbrojtësin Aliti, korçarët kompletuan merkaton e verës, që duket nga më cilësoret, pasi janë fuqizuar të gjithë repartet. Diçka e detyrueshme, sepse Skënderbeu luan edhe në Europë dhe i duhet një kontingjent sa më i plotë lojtarësh. Trajneri Ilir Daja gjykon se në ekip janë bërë afrimet e duhura dhe tani mbetet vetëm që të bëhet përshtatja e tyre me grupin. Ai ka besim se me këtë grup Skënderbeu mund të arrijë sukses si në kampionat, ashtu edhe në Europë.
– Daja, i kënaqur nga merkatoja e Skënderbeut?
– Do të jem i kënaqur, kur lojtarët që kanë ardhur t’i shoh në seancat stërvitore. Duhet kohë për përshtatjen e tyre, duhet që niveli cilësor i tyre të jetë i përshtatur me grupin. I kemi parë në aktivitetin me ekipet e tyre dhe janë individë të mirë, por mbetet përshtatja me grupin.
– Duke e marrë të mirëqenë faktin se janë lojtarë cilësorë. A e çon Skënderbeun ky grup te titulli kampion?
– Në të gjitha vitet e fundit Skënderbeu ka pasur objektiv të luajë për titullin kampion. Duhet të luftojmë fort si grup. Të mos harrojmë se konkurrenca është e fortë, pasi edhe ekipet e tjera kanë bërë merkato. Mbetet gjithçka për t’u parë kur të startojë kampionati. Në start do të duket ecuria e çdo ekipi dhe kush ka bërë merkaton më të mirë. Por sigurisht që mbetemi ekipi, që do të luftojmë shumë fort për titullin kampion.
– Ka edhe 6 ditë kohë për merkaton në Shqipëri, çfarë pret Ilir Daja?
– Të them të drejtën, kemi një grup lojtarësh, që duke pritur edhe Reza Karimin, ka një konkurrencë shumë të fortë. Ky kontigjent ka dhe anën tjetër, që do të jenë të gjithë të gatshëm, pasi kemi tre kompeticione ku do të luajmë. Natyrisht, parësor për ne është kampionati, pastaj vjen paraqitja e mirë në Europë dhe kupa. Duke parë ngjeshjen e ndeshjeve, do të thosha që kontigjenti nuk është i ekzagjeruar. Duhet patjetër të bëjmë rotacion, por pa humbur cilësinë dhe pikët, pasi kjo është kryesorja. Pikët janë gjithçka për një trajner dhe një ekip futbolli.
– E prisni edhe Albi Dokën?
– Të them të drejtën, e kam lexuar në media një gjë të tillë. Çdo njeri që ka vlera është i rëndësishëm për Skënderbeun, por kjo i takon presidencës për të zgjedhur dhe për të bërë veprimet e duhura.
– Partizani, Kukësi dhe Flamurtari, këta duken rivalët tuaj…
– Pa dyshim që Partizani dhe Kukësi, si sezonin e kaluar, do të jenë me të njëjtin qëllim si ne. Ka dhe ekipe te tjera, që kanë bërë riformatim, por mbetet për t’u parë në kampionat e sipër se kush do të jetë pretendent tjetër.
– Po në Europë, cilat janë objektivat tuaja?
– Shumë rëndësi ka ndeshja e parë në Kiev ndaj Dinamos së Kievit. Duhet të ulemi me “këmbë në tokë”, të bëjmë një paraqitje të mirë. Niveli i futbollit shqiptar nuk është në atë stad sa për të pretenduar kalimin e grupeve, por do të mundohemi për maksimumin.
– Miqësorja ndaj Pogradecit dhe kupa do të jenë test për të rinjtë?
– Miqësorja do të shërbejë për të testuar të gjithë ekipin, pasi do të luajnë dy 11-she. Në kupë sigurisht që do të kenë hapësirë afrimet e reja, por boshti i ekipit do të jetë në fushë për të ruajtur balancat.
– Me Flamurtarin në javën e parë të kampionatit do të jetë në fushë Skënderbeu që pamë në Europë?
– Natyrisht. Eshtë një objektiv më i vështirë, sepse në Europë ishim të kujdesshëm, ngaqë ishte me sistem eliminimi, ndërsa tani duhet fitorja. Kështu, do të sulmojmë, por duhet të ruajmë balancat në mbrojtje. Këtë duhet ta bëjmë më së miri, që ta startojmë me fitore kampionatin.
– Shumë lojtarë në ofensivë. E keni të vështirë zgjedhjen?
– Kur ka një kontigjent të madh në mesfushë dhe në sulm, për stafin është pozitive. Rritet konkurrenca dhe çdo lojtar jep maksimumin. Ka anën pozitive, sepse kemi mundësi t’i provojmë në të tre kompeticionet.
– Po hatërmbetjen e llogarisni?
– Edhe këtë e quaj anë pozitive, pasi një lojtar tregon se ka ego dhe duhet të vërtetojë në stërvitje se e meriton formacionin. Aty vendoset gjithçka. Do të luajnë ata që janë më në formë.
– Sulmuesi çek ka qenë në aktivitet, do të thotë se Skënderbeu të luajë me dy sulmues?
– Stafi do ta llogarisë çdo gjë me detaje. Sulmuesit janë të mirë dhe normalisht që do të shikohet çdo mundësi. Më pas, me kohën do të vendosim si do të luajmë në kampionat dhe në Europë. Është diçka, që mund të ndryshojë në varësi të ndeshjeve.
– Keni ndonjë peng nga merkatoja?
– Jo, mendoj se kemi bërë një merkato të mirë. Kemi marrë ata lojtarë që na duheshin dhe them se gjithçka ka funksionuar më së miri. Tani mbetet që kualitetet t’i tregojmë në fushë dhe të bëjmë veprimet e duhura në çdo ndeshje.