Cungu teston skuadrën, një portier në provë

Vllaznia ka planifikuar sot të luajë  një ndeshje miqësore dhe kundërshtari i saj është skuadra malazeze, Deçiç. Takimi do të luhet në stadiumin e qytetit të Tuzit me të njëjtin emër si edhe skuadra vendase, rreth 50 kilometra larg nga qyteti i Shkodrës dhe do të t nisë prej orës 17:00. Një takim, që siç e cilësoi edhe zv.trajneri Maxhar në pronocimin e një dite më parë konsiderohet si mjaft i rëndësishëm për skuadrën kuqeblu, pasi një javë më pas shkodranët do të udhëtojnë në transfertë për t’u ndeshur me Lushnjen në kuadrin e javës startuese të Kampionatit të 79-të Kombëtar të Futbollit. Për nga radha, kjo është miqësorja e gjashtë që Vllaznia zhvillon në periudhën përgatitore për sezonin e ri futbollitik 2017-2018. Katër të parët ajo i ka zhvilluar gjatë kohës që përgatitej në Shkodër, prej të cilave dy fituara brenda ndaj Kastriotit dhe Tërbunit, përkatësisht 4-0 dhe 1-0, ndërsa dy jashtë të përfunduara që të dyja në barazim, fillimisht me Laçin e Superiores dhe më pas Besëlidhjen e kategorisë së parë. Ndërkohë që miqësorja e pestë është luajtur në Berane të Malit të Zi gjatë periudhës që kuqeblutë zhvilluan dhjetëditëshin e grumbullimit, ndeshje të cilën e fiton me shifrat e thella 10 me 0. Nga sa bëhet e ditur, kjo e sotmja që luhet përsëri në Mal të Zi do të jetë krejt ndryshe për vete faktin se edhe niveli i kundërshtarit është për t’u marrë në konsideratë, pasi është një nga skuadrat cilësore të kampionatit malazez.

Melka në provë – Kuqeblutë vazhdojnë të këmbëngulin në sigurimin e shërbimeve edhe të një portieri tjetër. Një gjë të tillë ato e kanë bërë sistematikisht që nga ditët e para të fillimit të procesit stërvitor për sezonin e ri futbollistik, ku lista e portierëve të ardhur për provë ka qenë jo e vogël. Megjithatë, pas testimit asnjëri prej tyre nuk ka bindur. Por, pikërisht atëherë kur u mendua se drejtuesit kanë hequr dorë nga alternativa e një portieri të tretë nga jashtë dhe gjithçka do t’i besohej dyshes Selimaj-Sherri, në skenë del edhe një emër tjetër. Ai quhet Ilia Melka, një portier korçar, pjesë e një familje sportive sa i përket volejbollit në këtë qytet, i cili ka qenë i pranishëm në seancën stërvitore të paradites së djeshme. Melka, një portier që aktivizimet e tija i ka pasur më së shumti në Greqi, por ka qenë edhe tek Skënderbeu dhe Kukësi kërkon një vend titullari tek Vllaznia. Këtë do ta vendosin drejtuesit e Vllaznisë dhe më së shumti trajneri i sektorit të portierëve, Avenir Dani. Prova kryesore për Melken pritet të jetë sot, kur ai do të udhëtojë me skuadrën në Mal të Zi për ndeshjen miqësore që Vllaznia do të zhvillojë me Deçiçin e Malit të Zi. Ndërkohë, një lëvizje e tillë mund të jetë edhe në formë presioni për portierin Erind Selimaj që nuk ka pranuar të rinovojë kontratën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *