Cungu: Presion dhe stres, disa futbollistë nuk më ndiqnin

Trajneri shkodran, Armando Cungu, para pak ditësh la drejtimin e Vllaznisë, duke dhënë dorëheqjen si pasojë e rezultateve negative, kombinuar me presionin e madh dhe mosplotësimin e kërkesave në merkato. Pas largimit, Cungu shpërndau vetëm një mesazh të shkurtër për mediat, ndërsa në “Zona Gol” në Supersport ka shpjeguar arsyet e largimit, problematikën në Shkodër, tensionin rreth klubit dhe skuadrës, pengesat dhe dështimet.

Dështim apo sukses – “Kam ardhur te Vllaznia kur ishte në një situatë shumë të vështirë dhe arritëm të mbijetonim, madje të shkonim nga vendi i parafundit në të gjashtin, që për situatën ishte një sukses. Vllaznia në sezonin që lamë pas nuk ishte Vllaznia që dëshiroja, nuk ndërtuam një ekip të tillë që të kapte kupat e Europës. Ishte një Vllazni që luajti ndeshje shumë të mira, duke ndalur edhe ekipet më të mira të Shqipërisë, derisa 6 javë para mbylljes ishte në vendin e katërt dhe flitej për kupat e Europës. Në konferencat për shtyp kam folur shumë, si asnjë trajner tjetër, kam thënë që disa individë nuk dhanë maksimumin dhe shkuam në javën e fundit me nevojën për një pikë për të mos rënë nga kategoria, ndërkohë që ekipe të tjera në javët e fundit fituan çuditshëm disa ndeshje rresht. Kundër Tiranës ishte pika më kritike e futbollit shkodran dhe tensioni ka qenë i jashtëzakonshëm. Thuajse gjysma e ekipit nuk ishte në dispozicion për atë takim, për pezullime e dëmtime, histori që dihen. Luajtëm me shumë lojtarë të rinj, me arnime, edhe me lojtarë në role që nuk kishin luajtur kurrë në atë rol, por sakrifikuan për atë ndeshje dhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të atij stadiumi të mbushur ia dolëm për të evituar rënien. Për mua ishte një sukses ajo që bëmë vjet, ndërsa nuk dua të merrem me spekulimet mediatike”.

Dorëheqje, jo shkarkim – “Kam parë lajme se është shkarkuar Cungu, por nuk është e vërtetë. Pas ndeshjes në Kamzë i kam nisur sms kryebashkiakes Ademi për ndërprerje të kontratës. E kam menduar që në verë largimin, sepse e shihja që nuk po ndryshonin gjërat, por qëndrova me shpresë dhe me premtime të mëdha. Vazhdova punën me shpresën se do të kisha në dispozicion një ekip më cilësor, por kjo gjë nuk u mundësua. Për këtë arsye, që në startin e sezonit e lë Vllazninë. Për Vllazninë kam refuzuar klube nga më të mëdhenjtë në Shqipëri, thjesht për shkak të dëshirës se dëshiroja të jepja kontribut për Vllazninë. Kanë qenë tre klube që u kam thënë “jo”, që më ofronin edhe pagë shumë të lartë, sepse nuk është e vërtetë që jam trajneri më i paguar në Shqipëri. Kërkova largimin me synimin që të hap rrugën për një trajner tjetër që mund të zgjidhë problemet, që ishin të mëdha edhe sezonin e shkuar, sepse disa individë u tallën me fanellën e Vllaznisë sezonin e shkuar dhe janë shfaqur edhe këtë sezon. Disa futbollistë nuk e pranojnë konkurrencën në ekip dhe në këto kushte, kur lojtarët refuzojnë të njohin autoritetin e trajnerit dhe nuk e ndjekin, ky i fundit largohet. Gjoka? Nuk kam biseduar, por jam i bindur se nuk ka nevojë për informacionin tim, duhet të ketë biseduar me lojtarët”.

Presioni – “Asnjë presion nga bashkia, në asnjë moment. Kam folur gjithnjë hapur, por nuk dua të komentoj më shumë në lidhje me problemet e Vllaznisë. E përsëris që në fund të sezonit të shkuar pati persona që neglizhuan dhe abuzuan, ndërsa u shfaqën po ata persona edhe këtë sezon. Kam punuar nën stres konstant, kam qenë shumë më i qetë kur kam punuar jashtë Shkodrës, me president mbi kokë. Më kanë akuzuar se nuk kam ndërtuar dot ekip, por unë jam trajner, jo menaxher. Nuk e njoh tregun e huaj, nuk ndërtohet ekipi duke marrë çdo lojtar që vjen. Unë kam sugjeruar lojtarë të caktuar, mjaft cilësorë, por nuk kanë ardhur te Vllaznia. Vrapi e Elis Bakaj erdhën në Shkodër me kërkesën time, Nurudin Orelesi po ashtu, kam biseduar për javë të tëra me të. Edhe Ligën, Vucajn e Hasanin i kam kërkuar unë. Vecaj e Hebaj tashmë luajnë në kampionate të huaj dhe u kam dhënë shansin të tregojnë sa vlejnë te Vllaznia. E ardhmja? Jam mësuar të më trokasin në derë, jo ta kërkoj unë vendin e punës. Dua të pushoj, tani kam kohë të qëndroj pranë familjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *