Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, foli për “Supersport” në emisionin “Gol pas Goli”, teksa theksoi se skuadra u paraqit mirë ne pjesën e dytë dhe meritoi fitoren. Tekniku shkodran vuri në dukje faktin se skuadrës i ka munguar dhe fati në këtë përballje.
BARAZIMI – “Mendoj se nuk ishte ndeshje e lehtë për ne. E dinim se ishte ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh dhe problemet që kishim. Kishim mjaft dëmtime, në 10-15 minuta e para nuk ekzistuam mirë, ndoshta prej presionit dhe dëshirës për të fituar. Në momentin tonë më të mirë u dëmtuam nga një pakujdesi, në mënyrën sesi tentojmë ta largojmë topin në mesin e fushës. Më pas ishte çështje fati te goli, pasi topi u devijua. Në pjesën e dytë luajtëm mjaft mirë, në të gjitha drejtimet. Nuk na mungoi asgjë veç golit të fitores. Ekipi meritonte sot më tepër se një barazim, për atë që dha në fushë. Nuk mund të kem ndonjë alibi për skuadrën.”
GOLI I ANULUAR – “Është një gol i rregullt. Rexhinaldo është në pozicion të rregullt. Më njoftuan dhe më thanë që goli ishte i rregullt. E dinë gjyqtarët dhe anësori këtë gjë.”
REAGIMI – “Kur je në disavantazh kalon dhe në aventurë, si me sistemin e lojës, madje mund të pësonim në fund. Ishim të çekuilibruar, pasi ishim në sulm. Ekipi do të ishte më i duruar nëse do kishim shënuar në pjesën e parë.”
MUNGESAT – “Mungesa e lojtarëve në disa pozicione, të cilët i kanë dhënë Kukësit ndër vite, si në sulm dhe në mbrojtje. Kemi tre lojtarë të dëmtuar, të cilët luajnë duke sakrifikuar në mesfushë. Kemi dhe situata psikologjike, faktor psikologjik, sepse si me Flamurtarin dhe Tiranën, skuadra donte fitore dhe nuk u arrit. Sado që të heqim përgjegjësitë, lojtarët e kanë vetë dhe nuk e shmangin dot. Edhe un si trajner me sistemet lojës kam lëvizur diçka me 4-4-4 apo 4-4-2, që luajtëm sot.”
KUNDËRSHTARI – “Kundër çdo ekipi, kundër rivalëve, në ndeshje të barabarta çdo trajner do që skuadra të jetë e kujdesshme në fillimin e lojës. Teuta nuk është ekip i dobët, ka investuar shumë dhe ka një organikë të pasur. Në 5 javët e fundit kanë marrë 13 pikë. Ishte një ekip që duhet të kesh konsideratë, edhe pse kishim vështirësi. E nisëm ndeshjen keq, por presioni i rezultatit vjen dhe pas atij momenti luajtëm futboll dhe ushtruam trysni. Pësuam nga një karambol, në momentin tonë më të mirë. Ndryshova sistem për të përmbysur rezultatin. Nuk mund të kalosh në aventurë që në fillim të ndeshjes.”
E ARDHMJA – “Çdo trajner ka dëshirë për përmirësim. Dëshirat janë të mëdha, sa më shumë të jenë me kualitet të gatshëm, që marrin përgjegjësi do të jetë më mirë. Kukësi luan futboll dhe kjo më ngroh, ka karakter, ka gjendje të mirë fizike, edhe pse kanë oshilacione disa lojtarë. Ajo që na mungon është brishtësia se si pësojmë dhe vuajtja për të shënuar, edhe pse krijojmë raste. Duhet të shënojmë që të marrim pikë dhe kjo është një e metë e jona. Do të vijojmë para. Ekipi përmirësohet nga dita në ditë nga java në javë. Kampionati ecën dhe nuk e pret kush Kukësin.”