Kukësi u rikthye te fitorja pas dy humbjeve dhe kjo gjë e gëzon Armando Cungun. Trajneri i ekipit verilindor ka folur pas ndeshjes në emisonin “Gol pas Goli” në “Supersport”, duke analizuar fitoren, paraqitjen e Valdet Ramës dhe gabimet e ekipit.
NDESHJA – “Unë kam theksuar dhe herë të tjera që nuk ka ndeshje të lehta. Sidomos përballë ekipeve si Kamza, që ndodhet në fund të tabelës dhe nuk ka asgjë për të humbur. Kjo e bën edhe më të vështirë sfidën. Shto këtu që kishim dhe katër mungesa. Adaptuam lojtarë në pozicione jo natyrale, megjithatë jam i kënaqur me tri pikët.”
RAMA – “Rama ka futboll në këmbët e tij dhe nuk do mend ta thuash diçka të tillë. Kush sheh futboll, i kupton aftësitë e Ramës. Por natyrshëm që ka pak mangësi sa i takon fizikut, por e patë sot se po bën përpara. Ai sot luajti shumë mirë gjatë gjithë 45 minutave. Shpresoj të rikthehet sa më shpejt në 100% dhe të luajë nga minuta e parë.”
RASTET E HUMBURA – “Është e pafalshme të sillemi në atë mënyrë kur ishim 3-1. Kishim raste flagrante për të shënuar, raste shumë të thjeshta, por pashë egoizëm te disa lojtarë. Kjo gjë nuk na ndihmon aspak. Futbollistëve do t’ua bëj të ditur në analizën pas ndeshjes se ku kanë gabuar. Duhet të shënojmë më shumë, pasi futbolli është i çuditshëm. Pësuam 3-2 dhe ishim me siklet deri në fund të ndeshjes. Ligji i futbollit është që po nuk shënove, e pëson. Duhet përmirësim!”
GOLAT – “Natyrshëm, arritëm të shënonim shumë shpejt dhe ky gol na dha disi liri. Por ne vuajtëm dhe i dhamë mundësi kundërshtarit për të na vënë në vështirësi. Shënuam sërish dhe dua të falënderoj Ramën, që me futjen e tij i dha një impuls të ri lojës. Jam dakord që duhet të jemi më seriozë dhe më të thjeshtë në lojë, për të zgjidhur situata të ndryshme.”
RRESHTIMI – “Mendoj që dëmtimet dhe mungesat e Shametit dhe Cuculit na dëmtuan. Ata kanë eksperiencë dhe orientojnë ekipin. Janë shumë të vlefshëm për mbajtur ekipin ngushtë në fushë. Plaku ishte i bezdisshëm për ne, duke parë që ne kishim dhe mungesa. Skuadra u zgjat në fushë dhe kishim hapësira në mesfushë. Sulmuesit duhet të kthehen pas dhe të ndihmojnë mesfushën, e jo të qëndrojnë në një vijë paralele të dy. Megjithatë, kemi punuar gjatë kësaj periudhe me dy sulmues, për të parë se sa do të punojnë së bashku. Kanë bërë progres si çift, por kanë ende punë për të bërë.”