Vetëm dy ditë në krye të skuadrës dhe menjëherë Armando Cungu përballet me finalen e parë të sezonit. Kukësi do të luajë ndaj Valetës në Maltë sfidën e kthimit në turin e parë kualifikues të Champions-it, me trajnerin që ka besim te kualifikimi.
“Kam shumë pak orë në dispozicion, megjithatë është një ekip që e njoh dhe tek i cili kam besim për të arritur suksesin, që do të thotë kalimi i turit. Le t’ia lëmë fushës dhe të shpresojmë se më tepër se fjalët tona do të flasë terreni i lojës”, tha trajneri shkodran në konferencën për shtyp përpara sfidës.
Ndeshja do të luhet këtë të martë në orën 18:00, në një stadium të ndryshuar dhe jo në tradicionalin “Ta Qali”. Në impiantin modest dhe me fushë me bar artificial – me veri lindorët të mësuar prej vitesh të stërviten dhe luajnë në këtë terren – Kukësi do të provojë të rikuperojë pas barazimit pa gol në “Loro Boriçi”.
“Barazimi 0-0 në Shkodër nuk i ka përmbysur balancat. Jam i mendimit se Kukësi është favorit pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë, që nuk ishte ai që të gjithë shqiptarët prisnin”, tha trajneri Cungu, që shtoi: “Megjithatë është e rëndësishme që ekipi nuk pësoi gol në ndeshjen e parë dhe kjo është mjaft pozitive, e duhet të dimë ta administrojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam besim te klubi, te grupi i lojtarëve se do të arrijmë qëllimit dhe të kualifikohemi”.