Eglant Haxho ka njoftuar ditën e sotme se e ka mbyllur aventurën e tij te skuadra e Llapit. Portieri 30-vjeçar ka postuar në llogarinë e tij në Facebook, duke u shprehur se nuk do të jetë më pjesë e Llapit.
Ajo që çudit më shumë është fakti që klubi i Llapit bëri me dije se portieri kishte firmosur edhe për një vit. Haxho më parë ka qenë pjesë e Superligës dhe Kategorisë së Parë në Shqipëri, si dhe ka luajtur te Renova në Maqedoninë e Veriut.
Postimi i Haxhos në Facebook: “Përshëndetje. Ju njoftoj nëpërmjet këtij postimi se prej ditës së sotme nuk do jem më pjesë e LLAPIT. Edhe pse kishim një marrëveshje verbale, ajo nuk u dakordua deri në fund tek firma në kontratë. Pas pritjes nga ana ime për të pasur kontratën e detajuar, gjë e cila nuk erdhi në adresën time, e ndjeva të domosdoshme të bëja këtë njoftim, edhe pse i vështirë.
Falënderoj përzemersisht tifogrupin “Legjendat”, tifozët llapjan që na kanë mbështetur, gjithashtu dhe gjithë bashkëlojtarët për përkrahjen gjatë këtij viti. Gjithashtu faleminderit drejtuesve, zyrtarëve të klubit dhe gjithë shtabit teknik për bashkëpunimin. FK LLAPIT i uroj përzemërsisht suksese të mëtejshme. Me respekt, HAXHO”.