Ngjarja e ndodhur sot në sportin e volejbollit ka shokuar opinionin publik. Trajneri Romeo Xega u kap nga kamerat duke goditur me shuplakë njërën prej vajzave të ekipit U18 të Skënderbeut. Federata Shqiptare e Volejbollit reagoi menjëherë për këtë ngjarje, duke i hequr liçensën përherë trajnerit në fjalë. Por çudia më e madhe qendron në reagimin e bërë nga vetë vajzat e ekipit korçar. Në një intervistë për “Report TV“, volejbollistja që ra pre e dhunës së trajnerit të saj është shprehur se ai ishte një veprim normal dhe se nuk mund të konsiderohet dhu.në.
“Është normale që të ndodhë në një ndeshje finale. Me afrimitetin tonë dhe të prindërve me profesorin është diçka normale. Prandaj edhe ne në atë video nuk kemi reaguar, pasi nuk është ndonjë veprim për të bërë bujë dhe nuk është dhunë. Thjesht quhet një veprim, jo dhunë. Prindërit e dinë që është çdo gjë normale, sepse edhe prindërit tanë kanë shumë afrimitet me profesorin. Gjithashtu, ata kanë qenë në ndeshjen tonë. Kanë parë çdo gjë, çdo veprim që bëjmë ne, dhe na kanë thënë që e meritojmë një të gjuajtur ose të sharat e profesorit, sepse është një ndeshje finale dhe çdo ndeshje e ka një të tillë”, ka thënë volejbollistja e Skënderbeut./Halit Delibashi-Sport Ekspres/