Shkupi ka bërë prapakthehu dhe ka zyrtarizuar përsëri Goce Sedlloskin në krye të pankinës. Trajneri maqedonas u shkarkua nga detyra në 1 shtator, kur u eliminua nga Ballkani i Ilir Dajës në fazën “play off” të Ligës së Konferencës. Trajneri i ri nuk i ktheu rezultatet pozitive në Shkup, prandaj drejtuesit e kanë parë të udhës të emërojnë sërish Sedlloskin.
“Rikthehet Goce Sedlloski! Të dashur tifozë ju njoftojmë që kryetrajneri i ri i FC SHKUPI do të jetë Goce Sedlloski ndërsa si ndihmës i parë i tij, legjenda e klubit Arben Nuhiu. Së bashku me ta në pozitën e kryetarit të klubit rikthehet dhe Suat Alija”, shkruhet në njoftimin e bërë nga faqja zyrtare e Shkupit në “Facebook”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/