Ardian Cuculi është një nga afrimet e shumta të Kukësit këtë verë. Mbrojtësi qendror është aktivizuar si titullar në dy ndeshjes që verilindorët kanë zhvilluar kundër Laçit dhe Flamurtarit. Futbolli shqiptar nga Maqedonia i ka bërë një “skaner” asaj që ka ndodhur deri tani te Kukësi.
“Një pikë në dy ndeshje është pak për një klub që pretendon që gjithmonë të jetë në maja dhe pse jo të marrë edhe titullin kampion. Por dua të dalim sa më shpejt nga kjo situatë, të bashkuar së bashku. Dhamë shenja të mira në ndeshjen me Vlorën, pavarësisht se pësuam nga një episod. Them se në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mirë në Vlorë dhe shpresoj që në ndeshjen e ardhshme do tregojmë fytyrën tonë të vërtetë, por edhe ta kurorëzojmë edhe me 3 pikët. Kemi luajtur mirë, por kanë munguar pikët. Kjo gjë në futboll ndodh”, shprehet Cuculi në “Supersport”.
TIRANA – Mbrojtësi foli edhe për takimin e së dielës: “Këto ndeshje janë shumë të vështirë, janë ndeshje delikate. Të gjitha ekipet pak a shumë kanë kualitet të njëjtë, ndaj edhe kush do të shfrytëzojë episodet do të dalë fitues. Shpresoj që këtë herë do të jemi në detyrën tonë dhe Tirana të jetë në ditën e saj të keqe dhe në të vazhdojmë përpara me rezultate pozitive, fillimisht me fitoren e parë në kampionat, që do të qetësonte gjërat dhe për t’i bërë gjërat më mirë gjatë dy javëve. Kjo periudhë do na shërbejë të konsolidohemi më shumë”.
I pyetur në lidhje me ndryshimin e Superiores me kampionatin në Maqedoni, Cuculi thotë: “Janë dy kampionate të ndryshme, këtu ka më shumë grinte, më shumë luftë. Është kampionati më i egër, në aspektin e asaj që të gjitha ekipet janë të barabarta pak a shumë”.
Synimi është që sivjet Kukësi të fitojë titullin, ndërkohë që mbrojtësi flet edhe për të shkuarën te kuqezinjtë e Tetovës: “Shkëndija është një klub ku kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës dhe gjithmonë do mbaj mbresa prej atij klubi. U dëshiroj sukses çunave. Shpresoj që Kukësin të bëj më të mirën, të bëj atë që bëra më Shkëndijën dhe të shpallem kampion”.