CR7 më mirë se Maradona, Ronaldo dhe Van Basten

Kristiano Ronaldo jo vetëm që po luan në nivelin e pritshmërive, por vazhdon të jetë vendimtar edhe te Juventusi, ashtu si në çdo skuadër tjetër, në të cilën ka luajtur. Me paraqitjet e tij në fushë, ylli portugez përgënjeshtroi të gjithë ata që mendonin se ambientimi i tij në Serinë A do të ishte i vështirë.

Taktika dhe mbrojtjet e kampionatit italian nuk janë një problem për 33-vjeçarin. Pas tre javëve të para pa gol, ku CR7 u shfaq nervoz dhe disi i mërzitur, më pas situata ndryshoi. Prej atij momenti jo të mirë, portugezi nuk u ndal më.

Nga java e katërt e Serisë A, deri në të 14-ën, Kristiano Ronaldo ka qenë thjesht i papërmbajtshëm. 10 gola dhe kreu i renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit, përkrah Piatek. Portugezi ka vendosur një rekord, nëpërmjet të cilit është futur në historinë e më të mëdhenjve që kanë luajtur në Itali.

Pas 14 javëve, vetëm Shevçenko te Milani në edicionin ’99/2000 ka arritur të shënojë 10 ose më tepër gola, ashtu si CR7. Këtë statistikë nuk e kanë arritur as Maradona, Van Basten e Ziko, madje as Ronaldo tjetër, “Fenomeni” i Interit.

Kristiano Ronaldo ka lënë shenjën në historinë e Juventusit, aty ku është bërë debutuesi, i cili ka arritur më shpejt kuotën e 10 golave, pas Xhon Çarls, i cili në vitin 1957 arriti shifrën e 13-të rrjetave. Në vitet e fundit, këtë ecuri nuk e kanë realizuar as yje si Trezege (7) e Ibrahimoviç (7) apo edhe emra si Sivori (6) apo Platini (4).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *