Florian Marku doli fitimtar në përballjen me Muma Mwemba duke përmirësuar kështu rekordin e pamposhtur në 7-0. Shqiptari triumfoi me KO në raund të parë, duke e hedhur kundërshtarin në tokë 3 herë brenda 2 minutave. Mweemba dukej se nuk ishte aspak në nivelin e Markut, i cili nuk pushonte së grushtuari kundërshtarin.
Gazetarët e medias angleze “BT SPORT” deklaruan se është koha që Florian Marku të ndeshet me boksierë të nivelit të lartë. Këtë e ka pranuar edhe vetë 28 vjeçari në një prononcim pas përballjes, ku nuk ka nguruar të përmendë edhe njëherë emrin e një boksieri të aftë si Conor Benn.
“Jam shumë i lumutr për këtë fitore. Do të doja t’i kisha tifozët në arenë sot, pasi ata më përkrahin në çdo hap. Ju kam thënë gjithnjë që për mua boksi nuk është thjesht një sport, unë me këtë mbijetoj. Me këtë punë unë ushqehem dhe mbaj mirë familjen. Shpresoj që Conor Benn të mos ketë më frikë dhe ta pranojë ndeshjen ndaj meje.”- u shpreh Florian Marku. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/