Ndërhyrja kirurgjikale e Sotës në Barcelonës përfundon me sukses, gjendja e mirë e mbrojtësit i gëzon të gjithë

KF Egnatia ka dalë me një njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të futbollistit Eljon Sota, i cili pësoi një dëmtim të rëndë gjatë përballjes me Teutën. Mbrojtësi pësoi një dëmtim në regjionin e kyçit të këmbës, të shoqëruar me frakturë të fibulës, kockës së vogël të kërcirit. Për shkak të dëmtimit, lojtari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Barcelonë, e cila, sipas klubit rrogozhinas, u realizua me sukses.

Tashmë për Sotën nis një periudhë e rëndësishme rikuperimi. Ai do të qëndrojë për dy javët e para në Barcelonë, ku do të ndjekë fazën fillestare të rehabilitimit postoperator nën mbikëqyrjen e specialistëve mjekësorë. Më pas, procesi do të vijojë në Shqipëri, sipas protokollit të përcaktuar nga stafi mjekësor.

Lajmi pozitiv për Egnatian është gjendja e mirë psikologjike e futbollistit, i cili po e përballon këtë periudhë me optimizëm dhe vendosmëri. Klubi, stafi dhe shokët e skuadrës i kanë shprehur mbështetjen e plotë Sotës, duke e pritur me padurim rikthimin e tij në fushën e blertë. /Sport Ekspres/