Nuk ka qetësi për Milanin, që në fushë po merr rezultate, edhe pse me shumë vuajtje, por ndërkohë humbet pjesët, sepse pas dëmtimeve të rënda të mbrojtësit Kaldara dhe mesfushorit Bilia, është dëmtuar edhe Mateo Musakio.
Argjentinasi (me origjinë arbëreshe) u përplas dhunshëm pa dashje me Kesie në sfidën e Europa League kundër Betisit dhe ka pësuar një dëmtim serioz në gju, që do ta mbajë dy muaj jashtë fushe.
Comunicato ufficiale: Mateo Musacchiohttps://t.co/nw7g2wMNS3
— AC Milan (@acmilan) November 9, 2018
Lajmin e ka dhënë Milani në faqen e vet zyrtare, duke sqaruar se “bëhet fjalë për një traumë në gjurin e djathtë, që ka çuar te dëmtimi i ligamentit krocat të pasmë, dëmtim që do të kërkojë 6-8 javë pushim. Ndërkaq, kontrollet për traumën në kokë kanë dhënë përfundim negativ dhe nuk ka asnjë problem”.
Në gjithë këtë moment të keq, Musakio mund të quhet me fat, sepse dëmtimi i pësuar është më pak i rëndë sesa ai i krociatit të përparshëm dhe koha e kthimit është më e shkurtër. Gjithsesi, Milani është në situatë dramatike dhe kundër Juventusit ka vetëm Romanjoli e Zapata në dispozicion në qendër të mbrojtjes.
Aktualisht Milani shpreson të rikuperojë sulmuesit kryesorë Higuain e Cutrone, ndërsa lista e lojtarëve të dëmtuar është pa fund: Bilia, Bonaventura, Kesie, Çalhanoglu, Musakio, Konti, Kalabria, Striniç e Kaldara.