Barcelona dhe PSG-ja do të ballafaqohen sërish së bashku në Ligën e Kampionëve, por këtë herë ndeshja do të zhvillohet në Katalunjë. Luis Enrike do të kthehet si rival në atë që dikur ka qenë shtëpia e tij. I pyetur nëse ndjen presion që do të përballet me Barçën në Barcelonë, trajneri i PSG-së është përgjigjur negativisht. Ai ka thënë për “Movistar”-in se presion ndjejnë njerëzit që u duhet të punojnë me orë të tejzgjatura për të siguruar të ardhura për veten dhe familjet e tyre.
“Nëse do të hysh në një ekip të këtij niveli, me këtë profil lojtarësh, duhet të jesh i përshtatur në mënyrë të përsosur me atë që mund të ndodhë. Ta pranosh dhe të japësh maksimumin tënd. Nuk ka asnjë presion, çfarë presioni?! Presion ke kur duhet të punosh 6 apo 7 ditë të javës, të ngrihesh në 6 të mëngjesit për të sjellë të ardhura në shtëpi dhe të punosh për shumë orë, aq sa të mos kesh mundësinë as të sëmuresh. Unë jetoj si një zotëri. Punoj me buzëqeshje çdo ditë. Kam lojtarët më të mirë të botës. Asnjë presion”, ka thënë Luis Enrike./Halit Delibashi-Sport Ekspres/