Çfarë emocionesh për Alban Hoxhën, dy derbi në harkun e 24 orëve

Për çdo futbollist, të luajë në ndeshjet derbi, me rivalitet të madh dhe emocione të forta është një ëndërr. Një prej atyre kënaqësive që të dhuron ky sport, ku tensioni dhe spektakli në fushë dhe tribuna janë të papërsëritshëm. Por, ka edhe nga ata, si Alban Hoxha, që kanë fatin të shijojnë dy derbi në harkun e 24 orëve.

Kapiteni i Partizanit shijoi fitoren në fushë përballë rivalëve të mëdhenj të Tiranës, në një sfidë që edhe pse prodhoi pak futboll, ishte e jashtëzakonshme në tribuna, me stadiumin të mbushur me kapacitet të plotë, si nuk kishte ndodhur ndonjëherë në futbollin shqiptar në këto vitet e fundit.

Menjëherë pas triumfit, portieri udhëtoi drejt Italisë, ku ndoqi si spektator derbin ndërmjet Romës dhe Lacios. Alban Hoxha ishte i pranishëm në sektorin e tifozëve verdhekuq, ndërsa ai si duket në fotografitë e postuara prej tij, aty nuk mungoi edhe flamuri shqiptar.


Nuk mund të thuhet me siguri, nëse “gardiani” ka mbështetur Romën, edhe për shkak të tribunës ku ndodhej. Kjo edhe sepse Albani është tifoz i deklaruar i Milanit, ndërsa ka qenë edhe pak tifoz me shokun e Kombëtares, Tomas Strakosha, që mbron portën e Lacios.

Gjithsesi, emocionet kanë qenë të mëdha, për një prej ndeshjeve më të rëndësishme në Europë. 24 orët e fundit kanë qenë fantastike për portierin Hoxha, i cili ka shijuar dy derbi: atë të kryeqytetit, ku ishte protagonist në fushë dhe atë të Romës, të cilin e shijoi nga tribunat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *