Izair Emini ishte i vetmi lojtar, i cili nuk gjeti gjuhën e përbashkët me Kukësin dhe tashmë situata ka marrë një drejtim, që nuk ka kthim pas. Sulmuesi dhe kampionët do të ballafaqohen në FIFA dhe më pas do të mësohet se cila nga palët ka të drejtë. Tetovari pretendon se është lojtar i lirë, ndërsa verilindorët në krahun tjetër synojnë ta mbajnë edhe për një sezon, sipas kontratës që kanë depozituar në FSHF. Për t’u veçuar është fakti se Kukësi nuk ka përfunduar asnjëherë në FIFA dhe ky do të jetë rasti i parë. Në Shqipëri Kukësi është klubi i vetëm, që nuk ka humbur asnjë gjyq, së paku që nga periudha që rivalizon në Superiore. Kukësi apo Emini? E sigurt është që fundi i lumtur do të mungojë. Situata penalizon disi Eminin, i cili mund të humbasë derën e merkatos, nëse çështja nuk zgjidhet. Megjithatë, tashmë nuk ka më kohë për të analizuar, pasi FIFA pritet që shumë shpejt ta marrë në shqyrtim këtë përplasje dhe të japë verdiktin e saj.