Cerezo: Ronaldo nuk ka pesë Champions, Simeone gjithçka për Atletikon!

Atletiko mori një triumf mjaft të rëndësishëm një natë më parë, teksa në ndeshjen e parë për fazën e 1/8-ave ndaj Juventusit, fitoi pastër me shifrat 2-0. Presidenti i bardhekuqve, Enriko Cerezo, ka folur gjatë pas sfidës për mediat, ku preku disa tema, si gjesti i Simeones, Kristiano Ronaldon si dhe sistemin VAR e objektivat e klubit.

GJESTI I SIMEONES – “Nuk i kushtova shumë rëndësi gjestit të tij. Ndodhi në një moment tensioni. E kuptoj reagimin e tij. Vazhdoj ta theksoj që “cholizmi” (i referohet mënyrës së lojës së Simeones), është gjithçka për Atletikon.”

RONALDO – “Diçka tjetër që dua ta sqaroj. Kristiano Ronaldo nuk ka fituar pesë Champions, vetëm tre. Nuk i fitoi ai dy Championsat përballë Atletikos. Tifozët tanë tashmë i kanë dhënë përgjigje Kristianos për gjestin e tij. Është një lojtar fantastik, por ka një karakter të çuditshëm.”

OBJEKTIVAT – “Atletiko ka entuziazmin dhe ëndërron për të arritur në finale, edhe pse do të jetë e vështirë. Do të punojmë fort për ta arritur objektivin tonë.”

SISTEMI VAR – “Varet se për cilën skuadër aplikohet. Personalisht kam thënë që nuk më pëlqen dhe do vazhdoj ta them diçka të tillë.”

GODIN – “Është një lojtar i Atletikos dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit.”

BONUÇI – “Çdo lojtar ka mënyrën e tij se si luan futboll dhe sipas mendimit tim, Bonuçi ka mënyrën e tij. Zakonisht nuk janë mbrojtësit ata që hidhen në tokë, por sulmuesit. Mbrëmë ndodhi e kundërta.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *