Janë të shumta klubet që e duan Sandro Tonalin. Mesfushori 18-vjeçar i Breshias është vënë në shënjestër nga shumë klube, teksa e duan edhe në Angli. Së fundmi ëshët shkruar shumë për Çelsin, por presidenti Masimo Çelino tregon se Roma e ka pyetur për të, ndërkohë që edhe Liverpuli e ka kontaktuar.
“Po, Roma më ka pyetur për Tonalin. Me Baldisonin kemi folur shumë herë. Dua ta mbaj sa më shumë të jetë e mundur. A është gati ai? Nuk e di, është vetëm 18 vjeç… Por pak kohë më parë edhe Liverpuli më kontaktoi”, është shprehur numri një i Breshias për “Corriere dello Sport”.
PLANI – Roma ka disa mesfushorë të rinj italianë, si Kristante, Lorenzo Pelegrini, Zaniolo dhe Florenzi dhe kësaj liste do i bashkohej edhe Tonali. Drejtuesit e klubit verdhekuq mund të shfrytëzojnë kartonin e Andrea Markuçi, mesfushorit 19-vjeçar që mban shiritin e kapitenit te skuadra Primavera.
Mes palëve ka një marrëveshje për transferimin e të riut te Breshia, klub me të cilin pritet të nënshkruajë për katër vite, ndërkohë që do të ketë edhe një klauzolë për riblerjen e tij nga klubi i Serie A.
Nëse Monçi bie dakord me Çelinon, Markuçi në janar i bashkohet Breshias që tani dhe në verë Tonali merr rrugën drejt Romës. Kontrata për mesfushorin do të jetë e vlefshme deri në 2024, ndërkohë që Breshia përfiton 20 milionë euro plus bonuse.