Fitorja e parë pas 11 javëve në Kategorinë Superiore. Duke mposhtur Kamzën, Kastrioti rindezi shpresat për mbijetesë, ndërsa dora e trajnerit Stavri Nica ka nisur të ndihet në lojë dhe rezultate. Këtë e pranoi kapiteni i krutanëve, Emiljano Çelës për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”.
“Ky rezultat në këtë ndeshje erdhi pas 3-4 ndeshjeve të mira që kemi zhvilluar. Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe e zgjidhur me pak fat nga ana jonë. Goli i parë erdhi në mënyrë disi aksidentale, por më pas e zgjidhëm mirë ndeshjen”, tha Çela.
“Mbrojtja? Të gjithë si ekip duhet të kuptojmë që mbrojmë të gjithë dhe sulmojmë të gjithë. Mbrojtja ka qenë disi në akuzë, pas golave të pësuar. Kanë qenë gabime individuale, si pasojë e presionit të madh. Nuk është e lehtë ta shohësh veten gjithmonë në fundin e renditjes. Ne jemi stërvitur gjithmonë në mënyrë profesionale, pagesat janë dhënë gjithmonë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, në lojë dhe rezultate”.
“Ardhja e Nicës? Kam punuar pesë vjet me të te Laçi dhe ia njoh mirë mentalitetin. Skuadrën e do të vendosur në 30 metra gjerësi. Kjo fitore ishte rezultat i punës së tij, pas këtyre tre-katër javëve që ka ardhur në krye të ekipit. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, sepse pikët janë oksigjen për ne”.
“Shehi në qendër? Ishte zgjedhje taktike e trajnerit për të spostuar Domgjonin përpara, duke njohur edhe pikat e forta të kundërshtarëve. Domgjoni ishte shkatërrues, për të markuar Plakun. Mendoj se të dy e kanë bërë punën shumë mirë dhe shpresojmë të gjejë vazhdimësinë”.