UEFA po programon ndryshime në futboll dhe në disa kompeticione të ndryshme. Presioni mbi përdorimin e VAR-it po rritet, por kreu i qeverisë europiane të futbollit po reziston. Aleksandër Ceferin komenton mungesën e Kristiano Ronaldos në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të UEFA-s dhe hedhjes së shortit të fazës së grupeve në Champions, teknologjinë e re, kompeticionin e Superligës Europiane dhe ndryshimet në Champions.
Ronaldo – “Ne e prisnim, por vetëm pak orë përpara fillimit të ceremonisë Juventus na lajmëroi për mungesën e tij. Pyesni Ronaldon pse mungoi, sepse vetëm ai e di këtë gjë. Di të them që votuan 55 gazetarë dhe 80 trajnerë dhe ata vendosën fituesin e lojtarit më të mirë të vitit. Vendimet duhen pranuar dhe duhet të jemi optimistë.”
VAR – “Teknologjia do të futet në Champions herët apo vonë dhe nuk ka kthim pas, por akoma disa gjëra të paqarta sipas meje. Kur të jemi gati, do e përdorim VAR-in. Ideja është që ta nisim nga sezoni 2019-2020 në finalen e Superkupës që zhvillohet në Stamboll dhe pastaj në ‘play-off’ të Champions. Diçka të tillë do e vendosim me 27 shtator në mbledhjen e ekzekutivit. Çështjet janë të ndryshme dhe variojnë nga: pamundësia e një sistemi të centralizuar dhe dyshimi nëse duhet të përdorim tre arbitra, apo pesë të tillë dhe problemet që mund të kenë arbitrat anësorë.”
Champions dhe Kupa e re? – “Klubet e mëdha duan të luajnë vetëm me njëri-tjetrin, ndërsa ekipet e vogla ëndërrojnë të kualifikohen dhe të sfidojnë të mëdhatë. Nuk do të ketë kurrë një kompeticion vetëm midis ekipeve të mëdha, sepse do të ishte i mërzitshëm dhe nuk e zhvillon futbollin.
Risia më e madhe ka të bëjë me krijimin e një turneu të tretë kontinental. Nuk kemi akoma një projekt të qartë dhe të përcaktuar, por bazat janë hedhur. Do të marrin pjesë 32 skuadra në bazë të renditjes kombëtare. Kupa e tretë do të jetë më shumë për ekipet e vogla, ndërsa Europa League do të bëhej një tip Serie B, por më fisnike. Vendimi do të merret në dhjetor për të nisur gjithçka në sezonin 2021-2022.”