Cana: Nga Panuçi pritet shumë, s’ka si De Biazi!

 

Ish kapiteni flet për trajnerin e ri të Shqipërisë, duke shtuar dhe se “çdokush ka një stil të tijin. Grupi pas Europianit mbetet cilësor dhe besoj se do të japin ende shumë. Por, përvoja e Xhanit ishte e madhe”

Është larguar nga kombëtarja pas Europianit, por syri dhe zemra është aty, te fanella kuqezi. Një kapiten si ai vështirë të vijë më, sidomos për rolin e liderit në dhomat e zhveshjes. E komentoi largimin e De Biazit si diçka negative, duke iu përulur dhe shprehur respekt maksimal, por tashmë që është zgjedhur një pasues i tij, po përtej Adriatikut (Kristian Panuçi), Lorik Cana lëshon mesazhin tjetër. Ish-kapiteni kuqezi Lorik Cana ka dhënë ekskluzivisht për emisionin “SportsËeek” në Tring Sport, mendimin e tij në lidhje me trajnerin e ri të Kombëtares, Kristian Panuçi: “Meqenëse kanë bërë një zgjedhje si Kristian Panuçi mendoj se kanë parë disa cilësi tek ai. Shpresojmë të japë më të mirën e tij për të qenë të suksesshëm. Në radhë të parë mund të urojmë që të ketë sukses, pasi tani është pjesë e jona. Përderisa do të jetë njeriu që do të drejtojë një skuadër që ka fituar zemrat e të gjithë shqiptarëve. Gjithsecili prej nesh do të mundohet ta ndihmojë dhe t’ia bëjë punën sa më të lehtë”.

Panuçi është trajner që nuk ka përvojën e De Biazit. Mirëpo, ish-mbrojtësi nuk duket se kërkon të bëjë krahasime: “Përvojën e Xhanit janë të paktë trajnerët që e kanë. Ai kishte një moshë të caktuar, një njohuri të futbollit ndërkombëtar, shkollën e tij italiane. Besoj se cilësia më e madhe e tij ka qenë aftësia për t’u ambientuar me vendet e skuadrave që shkonte të drejtonte dhe mënyra për të marrë më të mirën prej tyre. Por çdo trajner ka cilësitë dhe të mirat e veta. Nuk do të thotë që të kesh eksperiencë të madhe, që të jesh i duhuri dhe më i miri. Gjithashtu e shoh një sfidë që ka Panuçi, duke pasur mundësinë të realizojë akoma rezultate të mira për të ardhmen me këtë skuadër që ka arrit një pjekuri. E më tej të ketë një pozicion dhe shanse të mira për kualifikueset e Evropianit. Besoj se sërish ekipi do jetë gati”.

Zgjedhjen e një tjetër trajneri të shkollës italiane në drejtimin e kuqezinjve, Cana e sheh në këtë mënyrë: “Sa më shumë po shkon futbolli përpara, mënyra e të lexuarit të futbollit po bëhet më universale. Normal, secili trajner ka një lexim specifik të futbollit. Mirëpo nuk është më si në vitet ’70, ’80 apo ’90 kur ishim të identifikuar me një lloj loje. Nuk është më që anglezët luajnë me topa të gjatë, apo që italianët luajnë katenaçio. Është bërë një farë loje më universale. Por secili trajner ka gjëra më specifike, duke sjellë identitetin e vet, pak në mënyrën e tij. Por sigurisht presim sërish shumë edhe nga ky italian i radhës. Aq më tepër që kemi një skuadër që pikën e vet kulmore pati mbërritjen në kampionatin evropian, por që duhet të vazhdojë të përmirësohet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *