Çaço ngre zërin për pezullimin, komenton edhe problemin e pagave

Për skuadrën beratase një fitore në transfertë në këtë fundviti është e domosdoshme për vetë objektivin që ka aktualisht Tomori gjatë fazës së dytë. Duke gjykuar mbi bazën e renditjes aktuale dhe ndeshjeve të mbetura në gjashtë javët e fundit, një fitore në Orikum është përllogaritur si e vetmja mundësi reale që skuadra e teknikut Devolli të sigurojë një vend në pesë të parat e grupit për në fazën e tretë.

Skuadra është nisur drejt Vlorës gjatë ditës së premte pasdite, ndërsa të gjithë pa përjashtim janë shprehur të bindur se do të bëjnë gjithçka për të marrë maksimumin në këtë transfertë. Duke qenë se mungesa e vetme është ajo e kapitenit Çaço, nga ana e tij tekniku Devolli ka marrë të gjitha masat për ta zëvendësuar sa më denjësisht kapitenin, i cili do të mungojë vetëm në fushë por aspak në mbështetje të skuadrës.

ÇAÇO – “Më vjen vërtet shumë keq që më kanë pezulluar nga Komisioni i Disiplinës për ndeshjen në Kavajë, sepse të ngresh zërin si kapiten për të mbrojtur skuadrën nga dhuna e kundërshtarit në fushë dhe nga gjykimi i njëanshëm, disa zyrtarë e llogarisin si një veprim ekstrem. Një kapiten për këto shkelje flagrante duhet që të hapë gojën, se fundja për atë arsye është kapiten. Megjithatë, le të vrasë ndërgjegjja këdo që dënon kot një kapiten si në rastin tim, edhe pse sot përballë Orikumit do të mungoj në fushë, por jo fizikisht dhe moralisht, sepse do të motivoj skuadrën për të fituar dhe të hedhim një hap të sigurt për të siguruar pesëshen e parë, që për Tomorin bëhet realitet me një fitore në transfertë”, deklaron Çaço.

Kapiteni beratas ditën e djeshme komentoi në faqen e Sportekspres.com në Facebook, duke përgënjeshtruar problemet financiare te Tomori, edhe pse lajmi për gjoba e paga të prapambetura konfirmohet nga të gjithë në Berat, ashtu si lajmi se për muajin tetor rrogat nuk janë dhënë të plota: “Më vjen keq që merreni me lajme të kota, asnjë nga ne futbollistët e Tomorit nuk është ankuar për rrogat, çdo gjë është sqaruar nga ana e klubit. Këtu nuk ka pasur probleme rrogash sa të bëhet kaq alarmante. Ne kemi biseduar me drejtuesit dhe çdo gjë është OK. Më vjen keq që dikush arrin deri këtu sa do të përçajë ekipin”.                                                                                                          /EDI SPAHIU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *