Reagon klubi ballshiot: Ka kontakt në zonë, Ze Maria është mësuar që kudo ta ketë “fushë me lule”
Erjon Saliu
Pas ndeshjes me Bylisin, skuadra e Tiranës akuzoi për penalltinë, madje trajneri Ze Maria tha ndër të tjera se Bylisi është favorizuar pasi i janë shtyrë ndeshjet, por edhe penalltia nuk ishte! Klubi ballshiot i quan të nxituara deklaratat e trajnerit të Tiranës, madje në një reagim që kanë bërë ballshiotë në media, theksojnë se: “Në qoftë se ka një klub që është favorizuar dhe nuk “ngopet” me penallti është Tirana që deri më tani ka marrë plot 7 të tilla. Madje, javët e fundit bardheblutë kanë filluar të marrin edhe nga dy penallti siç ndodhi me Tomorin.
Por, jo vetëm kaq, në shumë ndeshje, u janë dhënë penallti që në “tunel”, pasi me Shkumbinin, Shënkollin, sërish me Shkumbinin në kryeqytet dhe Tomorin, e kanë nisur lojën me penallti në “xhep”, duke ndikuar direkt në rezultatet e ndeshjeve. Penalltia në Ballsh ishte, madje ka kontakt, por edhe shkelje të këpucës së lojtarit tonë Murataj. Ndaj, Tirana por më shumë trajneri i saj Ze Maria, ta gjejnë të keqen te vetja dhe jo te Bylisi. Ne mirëpritëm tifozët e Tiranës, i respektuam, madje duam t’i kujtojmë se në Tiranë edhe neve nuk na u dha një penallti, por ama nuk protestuam në këtë mënyrë!
Tirana dhe Ze Maria, mbase janë mësuar që ta kenë “fushë me lule” kudo. Ne luajtëm dhe bëmë më të mirën sepse jemi vetë pretendentë. Ne, madje fituam edhe në mes të Tiranës dhe tifozët bardheblu na duartrokitën duke treguar se e duan futbollin e bukur dhe e panë se kush është Bylisi. Kështu që analizën e barazimit apo disfatës, bëjnë mirë që ta gjejnë te vetja. Bylisi nuk do të hapi rrugë, madje sërish do të kërkojë të fitojë edhe në Tiranë me Tiranën. Nuk e ka fajin Bylisi për barazimin e Tiranës, bëm vetëm detyrën në fushë”, – ka qenë reagimi i klubit ballshiot dje për mediat.