Kalimi me sukses i ballshiotëve dhe shkodranëve mban bardheblutë në rrugë të mbarë për këtë sezon. Janari do sillte zhvillime të rëndësishme
Fitorja me Turbinën në shtëpi nesër për Tiranën është detyrim. Bardheblutë kanë arritur t’i fitojnë katër ndeshjet e para, madje duke shënuar 13 gola dhe nuk kanë pësuar në asnjë takim. Objektivi është bërë i qartë me kohë: të sigurohet sa më shpejt ngjitja në Superiore për ta lënë pas krahëve këtë vit të errët në historinë e tyre. Duke parë ecurinë e skuadrave në grupin B të së Parës, Bylisi është skuadra rivale me bardheblutë për Superioren. Aktualisht, ata renditen në vendin e dytë, me vetëm dy pikë më pak se skuadra kryeqytetase. Përballja me ta luhet në fillim të nëntorit dhe për këtë muaj ka dy misione, i pari është në kampionat dhe tjetri në Kupë. Kalimi me sukses i Turbinës, Tomorit në transfertë dhe më pas triumfi në ndeshjen me Bylisin në shtëpi do sillte qetësinë e duhur dhe sigurinë se në grupin e tyre nuk kanë rivalë dhe përqendrimi do të fokusohej lehtësisht tek objektivi i dytë, fitimi i Kupës së Shqipërisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet eliminuar Vllaznia.
KUPA – Për këtë kompeticion trajneri Ze Maria ka nisur të mendojë prej kohësh dhe mësohet se deri më tani ka studiuar dy nga ndeshjet e shkodranëve në kampionat. Braziliani ka parë dy DVD të takimeve dhe njëfarë ideje e ka krijuar, edhe pse tani ka ndodhur një ndryshim thelbësor te Vllaznia, pasi është dorëhequr trajneri Armando Cungu dhe pritet që edhe mënyra e lojës me trajnerin Gjoka do ndryshojë. Deri në fund të nëntorit shkodranët do të zhvillojnë disa ndeshje dhe stafi teknik i Tiranës do i studiojë me kujdes për të pasur informacionin e duhur në momentin që do të përballen në fushën e blertë. Deri më 29 nëntor ndeshjet e kampionatit do të jenë edhe një mundësi për t’u përgatitur për ndeshjen e parë të Kupës. Shihet si shumë e rëndësishme që përballja e parë në “Selman Stërmasi” të kalohet me sukses. Të gjitha energjitë janë përqendruar te Vllaznia, pasi aty varen edhe planet e merkatos. Kalimi i turit do të bëjë që drejtuesit të ndërhyjnë në merkato për t’u forcuar edhe më shumë, çka do i bënte rival të drejtpërdrejtë për ta fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.
ILION LIKA
Portieri i bardhebluve ka shqetësuar këto ditë, por mësohet se për ndeshjen e së shtunës ai do të jetë i gatshëm për stafin teknik. Lika ka pasur një problem në këmbë që e ka penguar të stërvitet. Ndaj Turbinës ai pritet titullar, ndërkohë që mungesë e sigurt është ajo e Hardi Binguilës, mesfushorit nga Kongo që ka pësuar një tërheqje dhe ende nuk është rikuperuar.