Java e 13-të e Kategorisë së Parë ofron një sfidë interesante në Grupin B, pasi ndeshen dy skuadrat që kryesojnë renditjen, Bylis-Besa. Ballshiotët janë 2 pikë para, ndërkohë që ish-futbollisti e trajneri i skuadrës mallakastriote Migjen Skënderi, në intervistën e tij për SportEkspres.com, Skënderi tregon edhe arsyet e bindjes për tri pikët.
Migjen Skënderi ka një karrierë të gjatë te Bylisi, jo vetëm si futbollist për më shumë se 13 sezone, por edhe si trajner e drejtues në klub. Edhe pse inxhinier në profesion, ai ndjehet pjesë e kësaj skuadre, jo vetëm në ndjekshmëri. Këtë sezon, është optimist se skuadra e tij do të rikthehet në Kategorinë Superiore, sepse sipas tij po tregon që e meriton.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Bylisi luan në Kategorinë e Parë dhe jo në Superiore, si pjesë e historisë së tij, ju si ndjeheni?
-Shumë keq nuk ndjehem, sepse kjo varet nga kushtet dhe nga rrethana të tjera. Por kur në këtë kategori luajnë edhe skuadra si Vllaznia, Dinamo, Elbasani, Tomori, Apolonia, Besa apo edhe Besëlidhja që kanë luajtur në Superiore, këtu më shumë mendohet realiteti para nostalgjisë.
Duke qenë larg skuadrës së Bylisit, si një ish-futbollist, trajner e drejtues i tij, e ndiqni në stadium?
-Biografia ime sportive ma imponon të qenurit pranë futbollit, kryesisht me Bylisin. Shkoj në seanca stërvitore, ndërsa në ndeshjet zyrtare nuk mungoj. Sot është skuadra më e mirë e Grupit B jo vetëm se renditet në krye, por edhe për lojërat që ka zhvilluar, kryesisht ndaj rivalëve.
Si e shikoni Kategorinë e Parë në tërësi, jo vetëm nga renditja aktuale në grupe?
-Natyrisht që është rritur niveli i kësaj kategorie, sepse aty kanë luajtur e luajnë skuadra që kanë dalë kampione në Superiore. Në sezonin e kaluar ishte Tirana pjesë e Kategorisë së Parë dhe me Bylisin rivalizoi deri në fund. Kjo është një dukuri që tregon progresin e kësaj kategorie.
Të shtunën Bylisi pret Besën në Ballsh, do të jetë kjo sfidë e kalueshme për të mbajtur kreun e grupit?
-Për mendimin tim, Bylisi e fiton takimin e nesërm me Besën. Jo se luan në fushën e tij, por edhe për faktin se ka diferenca me më shumë kualitete nga skuadra kavajase, kryesisht në sulm. Madje do të jetë ky repart që do ta vendosë rezultatin, gjithmonë për fitoren e Bylisit.
Dhe ju e mendoni Bylisin vetëm “Kampion Dimri” në Grupin B, apo kryesues deri në fund?
-Gjysmën e sezonit Bylisi e mbyll në vendin e parë në grup, ndërsa për vazhdimësinë e fazës së dytë unë do t’i kërkoja më shumë kujdes. Sepse formula e fazës së tretë është shumë e egër, në kuptimin e pikëve të përgjysmuara. Luhatjet mund të jenë të rrezikshme për vendin e parë.
Java e 13-të e Kategorisë së Parë është shtrirë në tri ditë, cilën nga ndeshjet e tjera e quani si më të veçantë?
-Të gjitha janë ndeshje të veçanta, sepse kjo është faza ku skuadrat kërkojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë. Nisur kryesisht nga ky fakt, kalendari i javës ofron sfida të vështira ku favoritët në letër janë vështirë të përcaktohen. Gjithsesi, skuadrat pritëse kanë një avantazh të lehtë.