Bushi, i zhgënjyer nga Keidi Bare: Ajo penallti nuk duhej shkaktuar!

Trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga humbja e pësuar në Irlandën e Veriut, me gol të pësuar në minutën e 95-të, me një 11-metërsh që sipas tij ishte i falur, duke “shigjetuar” liderin e skuadrës, mesfushorin Keidi Bare, i cili shkaktoi një faull që duhej evituar.

Për fshf.org, trajneri i Shqipërisë tha: “Nganjëherë do të doja të luajmë shumë më keq dhe të fitojmë. Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë, duke mos u rrezikuar asnjëherë, përveç një momenti në pjesën e parë, kur mbrojtësit tanë u keqkuptuan me njëri-tjetrin. E dinim që do të luanim me një kundërshtar të fortë dhe do të përdornin armën e tyre, duke na sulmuar vetëm me topa të gjatë dhe duke u mbrojtur mirë, por ekipi ynë ishte shumë solid. Nuk u vumë asnjëherë në rrezik. Qarkulluam shumë mirë topin në momente të caktuara dhe arritëm të krijonim 2 raste për shënim që ishin flagrante në pjesën e dytë, me Durmishajn dhe Tafën, por fati nuk deshi. Sulmuam vazhdimisht për ta fituar ndeshjen. Në minutën e 95-të shkaktuam një penallti, që nuk duhet ta shkaktonim në asnjë mënyrë. Vetëm një ekipi kombëtar nuk i lejohet të shkaktojë penallti të tillë. Top i gjatë nga portieri kundërshtar dhe ta krijosh vetë situatën për të bërë penallti, nuk na falet.

“Bare, një lojtar me eksperiencë, duhet ta evitonte atë ndërhyrje, duke parë që kundërshtari me top po shkonte drejt kornes dhe jo drejt portës. Dhe kishin ngelur vetëm 10 sekonda lojë. Kishim mungesa shumë të rëndësishme, dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët për shpirtin e garës dhe për atë që dhanë në fushë. Tashme ne e kemi harruar këtë humbje dhe jemi duke përgatitur ndeshjen e radhës me Islandën”.

Image may contain: stadium, grass and outdoor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *