Alban Bushi dhe skuadra e tij ishin shumë pranë marrjes së një rezultati pozitiv në ndeshjen me Spanjën, por në fund u ndëshkuan nga një gol në minutat e fundit. pas ndeshjes për “Supersport” ish-sulmuesi ka përgëzuar të tijtë për lojën e zhvilluar, por ika falënderuar dhe De Biazin për këshillat që i ka dhënë për mbrojtjen.
“Në të gjitha ndeshjet ne kemi luajtur mirë futboll, por golat nuk kanë ardhur edhe për çështje eksperience. Kemi bërë gabime specifike si lojtarët dhe unë. Mund të kem gabuar dhe unë me ndonjë zëvendësim. Por edhe fati na ka ndëshkuar, pasi pësuam në fund”.
“Ekipi sot tregoi durim dhe nuk doli nga detyrat. Dolëm disa herë në sulm, më shumë se në Spanjë, duhet respektuar kundërshtari, pasi e meritoi fitoren”.
“Me ekipin e Spanjës është shumë e vështirë të mbash topin dhe të sulmosh, jo vetëm për ne. Ekipi shqiptar mund të luajë bukur ndaj çdo kundërshtari. Dua të falënderoj De Biazin pasi kam mësuar shumë për mbrojtjen. Kemi ekip të mirë dhe do të bëjmë mirë. Duhet të fitojmë ndaj Estonisë, pasi u bë kohë që nuk fitojmë. Lojtarët ishin të mërzitur nga goli që pësuam. Ekipi ishte i vendosur mirë, por ndodhin. Mund të meritonim një pikë për moral”.
“Është bërë një punë e mirë nga të gjitha ekipet e moshave të Shqipërisë, nga U15 deri te U21 për të furnizuar ekipin e parë. Në Kombëtaren A kishim së fundmi pesë lojtarë që mund të ishin te ekipi Shpresa. Ky është një obkjektiv, edhe pse rezultatin duhet ta marrim, sepse mërzitesh vetëm me humbje. Gjithsesi,kemi sinjale të mira që luajmë futboll, edhe pse duam të arrijmë edhe rezultate. Përveç Spanjës, me të gjitha ekipet e kemi kontrolluar ne topin dhe ky është tregues i mirë edhe për perspektivën, për skuadrën A”.