Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, doli sot para mediave dhe foli për gjendjen e kuqezinjve para ndeshjes kualifikuese me Turqinë, që luhet më 7 qershor. “Mendoj se është një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme. Kemi një pikë në tre ndeshje. Mund të kishim më shumë. Nëse nuk marrim rezultat pozitiv, atëherë shanset janë të pakta për vendin e dytë. Shanset me Turqinë janë të barabarta, i njohim si ekip dhe janë të mirë. Tani i njohim më mirë. Kemi probleme, pasi nuk kemi pesë lojtarë nga ata që ishin në ndeshjen e parë. Bajramaj, Muçolli, Ademi dhe Kryeziu mungojnë, po ashtu edhe Selmani që do jetë me ekipin e parë. Janë mungesa të rëndësishme. Do mundohemi të luajmë mirë në Turqi, rezultati është edhe çështje fati”, tha Bushi.
“Të rinjtë? Kemi lojtarë të rinj si Ndrecka, Bullari dhe Kalaj. Dëmtimet na e kanë ndërlikuar situatën. Këta janë lojtarë të perspektivës dhe nëse vazhdojnë me këto ritme do të jenë pjesë e U21. Nuk ishin në planet tona për momentin, pasi ishin ata pesë të tjerët. Lojtarët e Superiores kanë minuta, si Bardhi që ka luajtur. Janë tre ndeshje, edhe pse fokusi është Turqia. Luajmë edhe me Uellsin dhe do provohen lojtarët e rinj”.
“Stërvitja me trajnerin Reja? Bëmë një mbledhje para një muaji, shumë lojtarë nuk mund të ishin me ekipin A. Edhe unë kisha ato problemet me lojtarët e mi dhe gjendja e tyre nuk do ishte e mirë nëse nuk do të stërviteshin. U bën mirë lojtarëve dhe trajnerit Reja. Kemi folur dhe ka një mendim pozitiv për disa. Do i ketë në vëmendje. Është një motivim i madh për ta. Shpresoj të mos ketë dëmtime”.
“Minutat që kanë lojtarët? Në kampionatin tonë pothuajse kanë luajtur të gjithë. Ata jashtë kanë pasur probleme me aktivizimin. U lodha duke e thënë, do i marrim kështu siç janë. Edhe pa asnjë minutë një ndeshje e nxjerr me zemër, mjafton të veshësh fanellën e kombëtares. U21 është moshë delikate, më para luajnë me të rinjtë. Jemi më mirë se më parë, shumë lojtarë kanë minuta. Kishim menduar tjetër strategji, na doli tjetër. Është problem kur nuk ke pesë titullarë”.
“Miqësoret me Uellsin, test? I njoh lojtarët, këtu është tjetër gjë. Janë elementë të perspektivës, sidomos të kampionatit tonë. Shpresoj të luajnë të gjithë, janë tre ndeshje në pak ditë. Objektivi është që të çojmë lojtarë lart, por duhet edhe rezultat. Duam edhe kualifikimin dhe e ëndërrojmë, por kur ke dëmtime ke edhe rezultate jo të mira. Ka qenë edhe çështje fati, apo edhe gabime tonat”.
“Bullari? Do ta ketë ndeshjen në këto tre ndeshje. Ai është një djalë i ri dhe i talentuar, edhe pse është datëlindja 2011, tre vjet më i vogël se të tjerët. Talentet duhet t’i shtyjmë përpara, Bullari është një prej tyre. Po të vazhdojë kështu ai shumë shpejt do të jetë një nga shtyllat e ekipit kombëtar. Kemi edhe Vrionin e të tjerë që Shqipëria mund t’i ketë për 10-12 vitet e ardhshme”.