Nga emër i rëndësishëm bardheblu, që flet për një tjetër emër të lidhur ngushtë me Tiranën. Ervin Bulku komentoi debutimin e Ardian Memës te bardheblutë, të hënën në fushën e Flamurtarit, skuadrës ku deri pak ditë më parë punonte si asistent i trajnerit Ilir Daja.
Nga studio e “Gol pas Goli” në “SuperSport”, aty ku Bulku është në rolin e opinionistit për ndeshjet e Kategorisë Superiore, ish-kapiteni i 24-herë kampionëve, i uroi fat trajnerit të ri dhe beson te puna e mirë që do të bëjë në krye të skuadrës, duke e shfrytëzuar mundësinë për të shfaqur edhe të gjitha pakënaqësitë ndaj ish-trajnerit Ze Maria për gjendjen ku ndodhet ekipi.
“I uroj fat Memës, sepse ka qenë pjesë e familjes bardheblu. Është e vërtetë që e ka paksa të vështirë, edhe sepse ka disa lojtarë të dëmtuar, të cilët mendohej të ishin titullarë. Por, një gjë është e sigurt: Mema nuk ka për të bërë më keq se Ze Maria!”, ishte deklarata e Ervin Bulkut.