Portieri legjendar i kombëtares dhe Juves: Donaruma dhe Shezni për të më nxjerrë në pension? E drejtë, s’jam i përjetshëm
Në prag të ndeshjes, Itali – Lihtenshtejn, Xhanluixhi Bufon ka folur për mikrofonët e Rai-t, duke thënë: “Mund të jetë viti im i fundit dhe dua ta bëj si protagonist”. Fjalë këto që sigurisht kanë tronditur disi tifozët, qoftë ata të Italisë, por, mbi të gjitha ata të Juventusit, teksa “gardiani” nuk ka specifikuar se kur do të jetë momenti për ta lënë ende. Më pas, ai ka shtuar: “Itali-Lihtenshtejn ndeshja goleade? Nuk duam të mos kemi respekt për kundërshtarët, teksa, nëse themi kështu atëherë i jepet skuadrës një sinjal relaksi. Duam të fitojmë, por duhet ta bëjmë këtë me një ndeshje të madhe. Rezultati do të vijë vetë”, ka sqaruar Bufon…
E ARDHMJA – Ndërsa, për të ardhmen në kombëtare dhe te Juve, Bufon i ka idetë e qarta. “Nëse me Donarumën apo Sheznin po më përgatisin pensionin? Po dhe është e drejtë. Nuk jam i përjetshëm dhe nuk e kam menduar kurrë të jem i tillë. Kam menduar gjithmonë për grupin, një klub që duhet të mbrohet dhe të mendojë për më të mirën. Kombëtarja dhe Juventusi janë më të rëndësishme se unë. Mund të stërvis kombëtaren në të ardhmen? Kam thënë në të shkuarën se nuk më pëlqen të bëj trajnerin, por ndoshta trajnerin e kombëtares po, sepse është më pak impenjuese dhe të bën të shkëputesh nga e përditshmja e fushës pas një karriere me shumë intensitet”. Pra, mesazhi është i qartë, sigurisht që Bufon ka ndërmend të tërhiqet por ende nuk ka një afat për këtë.
Sakaq, mbi finalen e Kardifit dhe humbjen ndaj Realit, lëshon batutën: “Edhe më idiotët te Reali kanë fituar më shumë se unë. Kjo do të thotë të fitosh përvojë”